Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula thotë se situata sot në këtë parti nuk është normale, përkundrazi është e trishtë. Sula tha i ftuar në emisionin ‘Pa Protokoll’ në Report Tv se nëse kanë ndërgjegje kushdo qoftë, Berisha apo Basha duhet të sillen më qetë e në mënyrë demokratike, pasi kjo gjë nuk i shërben të mirës së vendit.
‘Duhet të pranojmë situata nuk është normale, nëse bëjmë një krahasim kemi të bëjmë me një person të sëmurë, që ose kërkon të shërohet ose të marrë injektimin e gabuar. Kjo është fatkeqësi, por nuk prodhojmë politikë siç duhet. Gjykoj se është e trishtë situata ku ndodhemi. Nëse ka ndërgjegje kushdo qoftë, qoftë Berisha qoftë Basha, apeloj për të pasur një sjellje më të qetë e më demokratike., Çfarë tregojmë më këtë dhunë verbale ndaj njëri-tjetrit. E shoh me shumë shqetësim situatën në PD.’- tha Sula.
Duke u ndalur tek djegia e mandateve në vitin 2019, Dashnor Sula tha se Lulzim Basha ka qenë kundër fillimisht dhe sipas tij në vendimet që ka marrë që nga 2013 ka ndikuar ‘presioni’ i Berishës. Sipas Sulës nëse do të kishte një grup më të fuqishëm parlamentar, vendimi i kryetarit ndryshon. Sula ju referuar kohës së zgjedhjes së presidentit në 2007, ku tha se Sali Berisha dhe struktura e lartë e PD-së, ishte për përzgjedhjen e Fatos Nanos si president. Sula shtoi se nëse nuk do të kishte qenë për kundërshtimin e një grupi të fortë deputetësh, nuk do të ishte zgjedhur Bamir Topi.
‘Të gjithë e dimë se një java para se të digjeshin mandatet Basha ka qenë kundër. Unë jam i bindur të besoj se deri në 2013 dhe deri në shtator 2021, nuk ka qenë vetja. Hija e zotit Berisha ka qenë shumë e rëndë. Basha e ka pasur këtë lloj ‘presioni’ në vendimmarrjet që ka pasur. Po të jetë grupi parlamentar me integritet bëhet më e vështirë për kryetarin. Duhet ta ndalosh. Marrim rastin e vitit 2007 për zgjedhjen e presidentit, s’po them vetëm Berisha vetëm, të gjithë struktura e lartë e PD-së ishte për përzgjedhjen e presidentit të republikës Fatos Nanon. Por ishin një grup deputetësh të fortë në PD që u arrit të zgjidhej presidenti Topi.’- tha Sula.