Identik si në çdo ditë të 31 viteve të tij në jetën politike pas shembjes së komunizmit. Sali Berisha nuk përmbahet me akuzat që bën për çdo kundërshtar të tij, madje edhe akuza nga më të çuditshmet që zhbëjnë ato që ai ka thënë më parë.
Këtë herë ‘preja’ e Berishës është Lulzim Basha. Akuza e radhës ka të bëjë me një prej bizneseve me fitimprurëse, atë të lojërave të fatit. Nga Lezha ish-Kryeministri tha se Qeveria i mbylli në fillim të vitit 2019 pasi ia kaloi online ato një kompanie në Qipro, pronare e së cilës është me 80% të aksioneve bashkëshortja e kreut të opozitës, Aurela Basha.
“Kur ndodhi vrasja në bllok, Edi Rama ndalon bastet. Po te kujt ishin bastet? Bastet ishin të Lul Bravës. Ky i dërgon Dushanin në Prishtinë dhe Rama thotë se në Qipro 80% pronar i kompanisë ishte lul brava nën emrin e të shoqes”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri Sali Berisha ishte paraditen e sotme në Lezhë, ku kremtoi bashkë me mbështetësit e tij nga ky qark, 31-vjetorin e themelimit të PD-së së Lezhës. Në fjalën e tij Berisha u përqendrua në barazinë që kërkon t’i japë demokratëve mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Ai tha se Edi Rama dhe pengu i tij duan të mbajnë peng pluralizmin në vend.
“Ne kemi një armik shumë më të rrezikshëm se ai që kishim para vitit 1990. Ai që kishim, ishte një diktator, i cili kishte urdhëruar vrasje politike, por prapë e kuptoi se uragani i lirisë nuk mund të ndalet. Sot jemi përballë një armiku të egër të pluralizmit. Sot jemi i vetmi vend, ku kreu i qeverisë, kreu i Meduzës, mendon se do mbajë peng pluralizmin në Shqipëri. Mendon dhe beson duke marrë peng Lulzim Bravën, do të mund të vazhdojë të shkelmojë mbi të drejtat e shqiptarëve, mbi interesat e shqiptarëve,” tha Berisha.
Duke e konsideruar 8 janar si faqja më e zezë në 30 vite e një qeverie shqiptare, Sali Berisha ripërsëriti deklaratën se urdhri për të ndërhyrë policia erdhi sipas tij nga Beogradi. ”
” Edi Rama rrethoi Lulzim Bravën, pengun e tij, jo vetëm me 8 oficerë garde, me në krye komandantin e rojes së personaliteteve, por Edi Rama i pajisi ata me të gjitha mjetet e dhunës të një policie agresive. Çfarë ndodhi? E shndërroi selinë e PD në një strofull krimi dhe kriminelësh, të cilët vendin e kishin në qeli dhe vetëm në qeli. Çfarë ndodhi? Më 8 janar, në një skenar të parapërgatitur, ai vërsuli me kërkesa direkte nga Beogradi, të faktuara, hordhitë e narkobanditëve me uniformë, kundër demorkatëve paqësorë. E them këtë të Beogradit, sepse Baston Stanishiçi është Mugosha i ri në PS dhe në Shqipëri. Mugosha i ri, e ka marrë 6 herë në telefon Edi Ramën, pas urdhrave që i vinin nga Beogradi. Mbro Lul Bravën. Ai nuk e mohoi këtë kur ia përplasën përfaqësuesit tanë,” tha Berisha.
Në fund Berisha premtoi beteja shumë herë më të fuqishme se ajo e 8 janarit.
“Revolucioni ynë nuk ka të ndalur”, tha ai.