Dr. Valbona Shahinaj, pediatre në Qendrën Shëndetësore nr.2 dhe Dr. Valbona Selimaj nga Brukseli apeluan për vaksinimin e fëmijëve. Gjatë një interviste për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, mjekja Shahinaj tha se në dy javët e fundit ka pasur fluks fëmijësh në qendrat spitalore. Ajo tha se dominant është varianti Omicron ndërsa tregoi dhe rastin e një foshnje dy muajsh që ishte prekur nga virusi.
“Qendrat janë plot, vihet re një shtim. Këto ditët e fundit që nga fillimi i janarit është një fluks i shtuar. Kjo ka të bëjë dhe me virozat stinore por dhe me prezencën e Covid-19. Me çfarë shikojmë duket si Omicron më tepër, ka shfaqje më të shpejtë, duket si më agresiv, temperatura është e lartë, por nuk kemi që të jetë aq agresiv siç kanë qenë format më të përparshme.
Deri tani kemi shkuar deri në maksimumi 70-80 vizita në një turn. Por nga ana tjetër, në dominancë janë virozat. Pjesa më e madhe janë virozat, pastaj i specifikojmë por që është shtim shumë i lartë.“, tha Shahinaj. Në një lidhje me Skype, Dr. Selimaj iu bëri thirrje prindërve spektik që të vaksinojnë fëmijët pasi janë më të prekshëm ndaj variantit të ri.
Në përgjithësi, shumica e fëmijëve mbi 12 vjeç janë të vaksinuar dhe kanë më pak infektime. Ndërsa nën 12 vjeç janë të pa vaksinuar dhe janë më të prekshëm ndaj infeksioneve. Shikojmë një rritje të lartë të shtrimeve. Shtrohen me shumë pak simptoma nëse kanë temperaturë ose ndonjë shqetësim në frymëmarrje. Simptomat e Omicron krahasuar me Deltën janë më të lehta por duke qenë se është infektues, po i prek shtresat e pambrojtura, ata që janë të pa vaksinuar, nën 12 vjeç dhe ata të pa imunizuar.
Ka një vit e gjysmë që kemi vaksina që na ndihmojmë të dalim nga kjo pandemi dhe fakti që një mosbesim të madh po na lë pas dhe po kërcënon njerëzit. Virusi shndërrohet, merr forma të ndryshme që të kap të pa vaksinuarit. Po përfitoj nga kjo pyetje që t’ju bëj thirrje personave që nuk janë vaksinuar ose nuk kanë marrë dozën e tretë, të marrin vaksinën. Covid akoma po vret njerëz. Mos të mendojmë se e kaluam dhe është një formë e lehte, por të mos harrojmë se ka akoma vdekje. Dhe shumë njerëz po humbin jetën. Kanë komplikacione post covid. Skepticizmi në Shqipëri më të rrezikshëm se në vendet e tjera.”, tha Selimaj.