Një sukses mes vuajtjeve mund të cilësohet historia e katër vajzave afgane, tre prej tyre motra që kanë hapur një restorant në Lezhë. Pasi u evakuuan në Shqipëri vajzat afgane nuk qëndruan duarkryq, por ndërmorën nismën për të hapur restorantin me qëllim ndihmën për familjen në atdhe. Walwala dhe Mariam rrëfyen për “ABC LIVE” rrugëtimin e tyre të vështirë nga Afganistani në biznesin që hapën në Lezhë.
Merakun më të madh kanë familjen. “Familjen e kam në Afganistan, nuk ishin të lejuar të dalin, është shumë e vështirë të lësh një pjesë të shpirtit atje, nuk dihet se cfarë do të ndodhë. Vëllezërit dhe babanë e kam andej, prandaj zgjodha të punoj që t’i ndihmoj sado pak” tha Walwala.
Por cfarë po ndodh aktualisht në Afganistan? “Kam ardhur vetëm me gjysmën e familjes, dy vëllezërit dhe motra janë në Afganistan. Flasim çdo ditë në telefon. Siguria atje ka kaluar në plan të dytë, tashmë po diskutohet mbijetesa, “çfarë do të hamë në darkë”. Kjo na merakos shumë, nuk e dimë sa do të zgjasë kjo. Janë bllokuar nga i ftohti, nuk kanë as punë dhe as para, jemi shumë të merakosur” tha Mariam.
“Gratë në Afganistan nuk kanë asnjë të drejtë, edhe për të shkuar në shëtitje duhet të kenë një mashkull të familjes me vete, është më keq se në burg, edhe në shtëpi edhe jashtë. Por gratë afgane janë të forta, dinë si të mbijetojë, ashtu sikur ne kemi hapur restorantin” u shpreh Walwala.
Ëndrra më e madhe për Walwala është bashkimi me familjen. “Po përpiqem që të nxjerr familjen nga Afganistani, por ëndrra ime është që një ditë të kthehem dhe ti shërbej komunitetit tim”.
Gjithashtu edhe për Mariam dhe rikthimi një ditë në atdhe. “Shpresa jonë është që Afganistani të kthehet në ditë më të mira dhe të kthehemi për ta rindërtuar”.
Por si e menaxhojnë restorantin dhe a kanë klientë shqiptarë? “Ne jemi katër gra që menaxhojnë lokalin, tre janë motra. Klientët i kemi kryesisht afganë, pasi u mungon ushqimi afgan. Por kemi edhe klientë shqiptarë, nga Kosova, por edhe të huaj. E pëlqejnë ushqimin tonë, sepse janë të lira, kjo na jep zemër të ecim përpara” tha Mariam.
Te shqiptarët vlerësuan mikpritjen. “Të gjithë sillen mirë dhe na buzëqeshin, askush nuk është sjellë në mënyrë të papërshtatshme ndaj nesh” tha Walwala.
Prodhimet shqiptare thanë se nuk i kanë provuar shumë. “Restorantet gatuajnë vetëm prodhime deti dhe nuk na ka rënë rasti të provojmë gatimet tradicionale. Në Lezhë kemi provuar brioshin dhe na është dukur interesant” tha Walwala.
Edhe pse në Shqipëri janë vendosur përkohësisht, Walwala nuk ja mbylli derën krijimit të familjes në vendin tonë. “Për momentin nuk na ka shkuar në mendje të krijojmë familje. Qëllimi i vetëm është të ndërtojmë familjet, ti nxjerrim nga atje.
Na është premtuar se do të jemi përkohësisht prandaj nuk na bën ta shikojmë Shqipërinë për të qëndruar gjatë. Por nëse është shkruar se do të ndodhë, mirë se të vijë” tha Walwala duke buzëqeshur.