Sot mbushen 14 vite, që prej ditës kur ka ndodhur tragjedia e Gërdecit, shkaktuar prej biznesit të ngritur dhe organizuar në qendrën e demontimit të municioneve ushtarake në këtë fshat, pranë Bashkisë Vorë. Tashmë, dihet se çfarë shkaktoi kjo tragjedi e rëndë në Gërdec dhe në zonat rrotull tij, me pasojë 26 të vrarë burra, gra e fëmijë, të cilët ishin viktimë e punës jashtë çdo kushti teknik e ligjor në demontim municionesh, të cilët eksportoheshin si skrap dhe municione luftarake, me marka të falsifikuara në Afganistan, Irak, Libi, Tunizi, Egjipt etj. Nëse nuk do të kishte ndodhur shpërthimi i municioneve, ky biznes i rrezikshëm do të vazhdonte ashtu siç kishte vazhduar që prej vitit 2005 e deri në ditën që Gërdeci shpërtheu dhe vrau 26 punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës dhe që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.
Shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 (e shtunë) mars 2008 rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën 26 persona. Demontimi i armëve ishte një prioritet që qeveria e shtetit shqiptar kishte marrë përsipër për anëtarësimin në NATO, pasi siç kishte deklaruar kryeministri Berisha, për agjencinë “Reuters”, Shqipëria kishte “pirgje” me mbi 100 mijë ton municione të depozituara mbi 40–50 vjeçar. Kujtojmë, tragjedia u shoqërua dhe me ngjarje të tjera politike, mbasi në mënyrë urgjente, ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, dha dorëheqjen nga posti i tij, duke e konsideruar këtë dorëheqje, si “përgjegjësi morale”. Ishte artikulli i gazetës së New York Times”, që shkaktoi debate të ashpra politike në parlamentin e shqiptar, publikuar më 27 mars të vitit 2008, të cilin kryeministri Sali Berisha e quajti “letër higjienike”, për shkak se përmendej përfshirja e djalit të tij në biznes-krimin e demontimit të municioneve të Gërdecit, që përfundoi me tragjedi me 26 viktima.
Kronologjia e proceseve gjyqësore për shpërthimin e Gërdecit, i cili i shkaktoi 27 viktima dhe plagosi qindra të tjerë.
15 Mars 2008
Mesditën e 15 marsit 2008, në ambientet e ish – Brigadës së Tankeve, në fshatin Gërdec, Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizmit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k, ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda. Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme në 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore. Nga kjo ngjarje u shkaktua dëm në pasuri shtetërore e private në vlerën 2.2 miliardë lekë. Ky është përshkrimi i ngjarjes së Gërdecit në fashikullin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Procedimi penal
Fill pas ngjarjes Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedimin penal nr. 3, të vitit 2008, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu (në cilësinë e ish – Ministrit të Mbrojtjes njëherësh dhe deputet), duke e akuzuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, dhe “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, me subjekt ushtarak – kuadër komandues, si dhe në ngarkim të të pandehurve Agim Lala, Ndue Marku, Ardian Mullai, Zija Bahja, Luan Hoxha, Zenun Fero, Hysni Cocka, Lavdi Shatro, Jorgo Mino, Fiqiret Mato, Armand Tartari, Fatbardh Kuci, Shpetim Spahiu, Adriatik Mema, Rezart Tershana, Denis Hajdari, Gëzim Hoshafi, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fahri Toska, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, etj.
26 mars 2008
Në fazën e hetimeve paraprake, Prokurori i Përgjithshëm i kërkoi Kuvendit autorizimin për procedim penal ndaj shtetasit Fatmir Mediu, i cili mbrohej nga imuniteti i deputetit.
16 qershor 2008
Kuvendi me votim të fshehtë Kuvendi i hoqi imunitetin Fatmir Mediut, duke i dhënë autorizim prokurorisë për ndjekjen penale të tij me anë të vendimit nr. 185, datë 16.06.2008 .
13 mars 2009
Prokuroria e Përgjithshme dërgoi për gjykim në Gjykatën e Lartë procedimin penal nr. 3 të vitit 2008 në ngarkim të 31 të pandehurve, mes të cilëve edhe për të pandehurin Fatmir Mediu duke e akuzuar për veprat penale të përmendura më sipër.
22 maj 2009
Gjykata e Lartë vendosi të shpallë moskompetencë për të gjykuar të pandehurit e tjerë, duke e ndarë dosjen e Mediut, me argumentin se vetëm ai ishte subjekt gjykimi i kësaj gjykate.
28 qershor 2009
Fatmir Mediu dhe pse i pandehur nga drejtësia kandidon në zgjedhjet parlamentare dhe zgjidhet përsëri deputet. Rizgjedhja e tij në Kuvend i rikthen imunitetin e deputetit, ndërsa procesi hetimor ndaj tij vijonte.
14 shtator 2009
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi të pushojë çështjen ndaj ish Ministrit të Mbrojtes Fatmir Mediu me argumentin se ai kishte imunitet parlamentar. Pretendimet e prokurorëve të çështjes, të cilët cilësuan të vlefshëm autorizimin e dhënë në legjislaturën e mëparshme për ndjekjen penale ndaj të tij, nuk u morën parasysh.
Qershor 2011
Shoqata e Familjarëve të viktimave të Shpërthimit të Gërdecit bëri disa tentativa për ta rihapur çështjen ndaj Mediut. Pas refuzimit të kërkesës nga organi i akuzës që të niste edhe një herë procedimin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes kjo shoqatë iu drejtua Gjykatës së Lartë duke kërkuar: “Dhënien e informacionit dhe procedimin e fajtorit”. Por GJL e rrëzoi kërkesën si “të pabazuar në prova dhe në ligj”.
12 mars 2012
Katër vite pas shpërthimit Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Tiranë shpalli vendimin për 28 të pandehurit e tjerë për Gërdecin. Trupi gjykues i kryesuar nga Ridvan Hado, shkarkoi nga akuza e vrasjes në rrethana të cilësuara të pandehurit, ndërsa dha vendime me burg nga 1 deri 18 vite për një pjesë të mirë të tyre. Vetëm pak dolën të pafajshëm nga ky gjykim. Dënimi më i lartë, me 18 vite burg, u dha për Ylli Pinarin, drejtor i MEICO-s dhe Dritan Minxhollin, administrator i kompanisë së demontimit të armëve. 10 vite burg për Mihal Delijorgjin dhe 6 vite burg për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha.
13 shkurt 2013
Gjykata e Apelit lehtësoi dënimet për të pandehurit e “Gërdecit”. Krejt në kundërshtim me apelimin e Prokurorisë që kërkonte dënim të përjetshëm për 3 të akuzuarit kryesorë, Apeli u uli atyre dënimin dhe të akuzuarve të tjerë me disa vite burg. Apeli e çoi në 15 vite nga 18 vjet burg dënimin për drejtorin e MEICO-s, Pinari. U reduktua me një të tretën dënimet për Minxhollin. Nuk u ndryshua dënimi me 10 vite burg për ish zyrtarin e Meico-s Sokol Gjeci. U la në fuqi dënimi me 6 vite për ish Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Vendimi i formës së prerë i ktheu të gjithë në qeli përveç gjeneralit Hoxha, i cili ishte larguar nga Shqipëria. Ish gjenerali Shpëtim Spahiu u shpall i pafajshëm, ndërsa Zija Bahja mori 3 vite burg me kusht duke humbur pafajësinë që kishte fituar në shkallë të parë. Për funksionarë të tjerë të ministrisë së Mbrotjes u dhanë dënime me kusht nga 1 deri 3 vite burg.
Mars 2014
Gjykata e Tiranës liroi me kusht, Ylli Pinarin, ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore “MEICO”. Pinari kishte përfituar 2 ulje dënimesh nga dënimi fillestar me 18 vite dhe në fund ai ka vuajtur bashkë me paraburgimin 7 vjet e 9 muaj, por realisht ka qëndruar në qeli vetëm 6 vite. Ai ishte i fundit që doli nga qelia, ndërkohë që Delijorgji, i cili ishte dënuar me 7 vjet burg kishte dalë në mars 2013 pas 5 vitesh qëndrimi në qeli. Të gjithë të dënuarit për Gërdecin janë sot në liri.
26 shkurt 2021
Zamira Durdaj, gruaja që humbi djalin 7 vjeç nga shpërthimi dhe u bë simbol i përpjekjeve për drejtësi, u bë shkak për rihapjen e çështjes 13 vite pas tragjedisë. Ajo i kërkoi Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të vijojë me ushtrimin e ndjekjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, pasi tashmë nuk ekziston më pengesa ligjore që konstatoi Gjykata e Lartë (mungesa e autorizimit për procedim).
5 Maj 2021
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar iu drejtua Gjykatës së Lartë me kërkesën për: “Revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale në ngarkim të shtetasit Fatmir Mediu”, e pushuar me vendimin nr. 6, dt. 14.09.2009 të kësaj gjykate.
01 qershor 2021
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi deklarimin e moskompetencëspër shqyrtimin e kërkesës penale të SPAK dhe dërgoi çështjen në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
27 korrik 2021
Gjykata e Posaçme e shkallës së parë vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për rihapjen e çështjes dhe fajësoi Prokurorinë për mosushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, kur e kishte pasur mundësinë. Gjykata argumentoi se vepra penale për të cilën ai akuzohet është parashkruar. SPAK vendosi ta apelojë çështjen pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
24 Shtator 2021
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u shpreh në favor të hetimit të ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me shpërthimin e ndodhur 13 vite me parë në një depo ushtarake në Gërdec. Kjo gjykatë pranoi kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit të çështjes nga Gjykata e Lartë 12 vite më parë.