Godina e Kryeministrisë e ka marrë certifikatën e pronësisë vetëm një vit më parë, në 2021. Kreu i Kadastrës Artan Lame, thotë se ndërtesa e Qeverisë shqiptare është pajisur me tapi 80 vite pas ndërtimit të saj.
“Kryeministria më në fund u bë me certifikatë pronësie vetëm në vitin 2021, 80 vjet pas ndërtimit. Që i bie që italianëve ju deshën vetëm 2 vjet ta ndërtonin, ndërsa shqiptarëve 80 për ta bërë me tapi”, shkruan Lame ndër të tjera.
Më poshtë, kreu i Kadastrës tregon se edhe Ambasada e Italisë në Tiranë është pajisur sot me certifikatë pronësie. Edhe kjo seli diplomatike, ashtu si Kryeministria, e ka marrë tapinë pas më shumë se 30 vitesh.
“Ambasada Italiane e një milion shqiptarëve që kanë kaluar përmes saj, sot ka certifikatën e pronësisë me stemën me shqiponjë në krye. Natyrisht elektronike, të aplikuar on-line përmes e-albania”, shkruan ai, duke shtuar “shteti shqiptar ja ka dhënë Italisë atë godinë që në vitin e largët 1991 dhe, për mbi 30 vjet nuk ka qenë në gjendje t’i japë tapinë.”
Shënimi i plotë i kreut të Kadastrës, Artan Lame
Dje Italia kishte festën e Republikës. Unë besoj se në ka shtet në dynja që duhet t’i themi “faleminderit” është pikërisht Italia, edhe për qindramijë shqiptarët që mban brenda, edhe për sa na u gjend me bukë e ushtri në vitin ’97, edhe kur na u gjend pranë me bukë e grurë që në vitin 1991. Zor të gjesh familje shqiposh (përfshirë edhe timen) që nuk e ka kaluar një herë në këta 30 vjet atë, derën e ambasadës përballë TVSH-së, për të marrë një vizë, a për të zgjidhur një hall me të tijtë përtej detit. E pra ndërkaq, zor se e di njeri që shteti shqiptar ja ka dhënë Italisë atë godinë që në vitin e largët 1991 dhe, për mbi 30 vjet nuk ka qenë në gjendje t’i japë tapinë.
Kur takova ambasadorin italian për këtë çështje, (çdo ambasador Italian ka takuar çdo zyrtar të mundshëm shqiptar për këtë çështje në këto 3 dekada), për ta qetësuar i thashë “mos u mërzit, edhe Kryeministria nuk ka tapi”. Natyrisht që ambasadori nuk më besoi, por si diplomat i hollë që ishte, e mori llafin tim si shenjë solidariteti. Në fakt ishte e vërtetë. Kryeministria më në fund u bë me certificate pronësie vetëm në vitin 2021, 80 vjet pas ndërtimit. Që i bie që italianëve ju deshën vetëm 2 vjet ta ndërtonin, ndërsa shqiptarëve 80 për ta bërë me tapi.
Po ku e kishim llafin, ah po, tek ambasada. Kur filluam të merremi me këtë punën e ambasadës para ca muajsh, mblodhëm letrat e dynjasë, plot 282 dokumenta me rreth 600 faqe, letra, promemorje, memo, shkëmbim notash, marrveshje, protesta, lutje, kërkesa, përgjigje, kudërpërgjigje, delegime, noterira, e ç’tu them tjetër. Të gjitha për të përmbledhur një fjali: “E nderuar Shqipëri, na jep tapinë e pronës sonë, se na plase buzën”. E morëm si sfidë këtë punë, qoftë edhe për t’i kthyer sadopak dinjitetin këtij hallemadhit shtetit tonë. Falenderoj Luigi-n, Inën, Beliozën, Benin dhe gjithë ata që kontribuan në shpleksjen e këtij lëmshi 31 vjeçar. Ju nuk i njihni, unë i njoh.
Fundi i Historisë: Ambasada Italiane e njëmilion shqiptarëve që kanë kaluar përmes saj, sot ka certifikatën e pronësisë me stemën me shqiponjë në krye. Natyrisht elektronike, të aplikuar on-line përmes e-albanias. Gëzuar festën Itali!