Mbërritja e kryediplomatit rus, Sergei Lavrov në Serbi më 6 dhe 7 qershor, mund të ndryshojë axhendën e kancelarit gjerman Olaf Scholz që do të nisë një tur më 10 qershor. Sipas mediave serbe, informacione jozyrtare bëjnë me dije se i ftuari i lartë nga Berlini është gati të anulojë edhe ardhjen e tij. Vetëm që të mos ketë “përplasje” me zyrtarin e lartë rus.
Se diçka nuk është në rregull, u vërtetua edhe nga deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili dy ditë më parë tha se gjërat po ndërlikohen me ardhjen e Lavrovit, por nuk ka dashur të zbulojë detaje.
Për këtë temë ai foli edhe të premten, duke thënë se vizita e Lavrov ishte e planifikuar, por se për dy ditë do të japë informacione më të sakta. Ai gjithashtu shtoi se nuk përjashtoi mundësinë që ardhja e një diplomati rus të rrezikonte vizitën e Scholz-it.
“Unë e di diçka që ti nuk e di. A do të jetë gjithçka në rregull? Do të shohim. Gjithçka mund të jetë mirë, e ndoshta jo,”-tha ai.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zaharova, tha të premten se Lavrov do të vizitojë Serbinë më 6 dhe 7 qershor dhe do të bisedojë me presidentin Vuçiç. Në konferencën për media ajo theksoi se do të bisedojë edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviç, kryetarin e Kuvendit Popullor, Ivica Daçiç dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirio. Ajo tha se tema të diskutimit pritet të jenë bashkëpunimi dypalësh politik dhe ekonomik, shkëmbimi i mendimeve për situatën në rajonin e Ballkanit, si dhe për çështjet aktuale ndërkombëtare të luftës me Ukrainën.
Gjithashtu në Berlin u konfirmua se Scholz javën e ardhshme do të bëjë një vizitë dyditore në Ballkanin Perëndimor, Greqi dhe Bullgari. Sipas një deklarate nga zyra e kancelares, fokusi do të jetë në perspektivën e BE-së, bashkëpunimin rajonal, tejkalimin e bllokadave dypalëshe dhe reagimin e mëtejshëm të përbashkët ndaj luftës së agresionit rus kundër Ukrainës.