Personi që shihni në foto është Alban Meneri, autori i dyshuar i ngjarjes ku mbeti i vdekur fqinji i tij Nikolin Staka.
Sherri mes autorit dhe viktimës nisi për shkak të debatit që autori po kryente me një grua poshtë pallatit për shkak të parkimit.
Një prej zonjave që jetonte në të njëjtin pallat qoftë me viktimën por edhe me autorin, ka treguar se Meneri ka pasur konflikte të vazhdueshme me banorët e lagjes. Ai pretendonte pronësinë e një hapësire që përdorej për parkim nga ana e banorëve.
Zonja tregoi se familja e Stakës jetonte jashtë vendit, dhe ai është gjetur i pajetë nga kujdestarja, e cila kishte mbërritur në banesë mëngjesin e të nesërmes.
‘Unë quhem Mimoza Krasniqi, në 2015 ne kemi pasur një konflikt gjyqësor me zotin Meneri, vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga përmbarimi, dhe mori edhe certifikatë pronësie, edhe pse ne kemi licensë parkingu prej 30 vitesh. Hipoteka e ka pajisur me certifikatë me urdhër korigjimi, sa herë që vijnë për të parkuar, ky zihet me banorët.
Personi që ka mbetur viktimë, kishte një muaj që kishte ardhur me qera, debaton me zonjën e parukerisë. Viktima del në dritare dhe i thotë mos debato me të. Jo vetëm që e ka dëmtuar me grushta, por e ka goditur edhe pasi e ka hedhur në tokë. Të nesërmen vjen kujdestarja dhe e gjen derën e mbyllur. Pasi hyri nga dritarja burri im, e kanë gjetur pa ndjenja të ftohtë. Në momentin që e kanë gjetur kanë lajmëruar policisë, ka qenë totalisht i nxirë.
Personi ka marrë një autoritet, ka pasur konflikte të vazhdueshme. Iu ka dhënë lekë punonjësve të Hipotekës, ka pasur mbështetjen e policisë, të institucioneve, ka sjellë dy maune me zhavor dhe nuk janë hequr, pavarësisht ankimeve në polici”, u shpreh Krasniqi, citon Fax News.
I ndjeri ishte me profesion mësues, i lindur në Laç dhe banues prej një muaji në Tiranë, i cili ka jetuar më parë në Belgjikë.
Staka vdiq pasi kritikoi autorin për konfliktin që po bënte me një grua, teksa Meneri, montazhier i RTSH-së, është ndjerë i bezdisur dhe i ofenduar nga kjo kritikë dhe i ka kërkuar Stakës që të zbresë poshtë në mënyrë që të sqarohen.
Pasi janë ballafaquar ballë për ballë, Meneri e ka qëlluar me grushte në kokë, gjymtyrë e qafë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa 56-vjeçari dyshohet se ka gjetur vdekjen brenda në banesën e tij nga hemorragjia.
Konflikti ka ndodhur më datë 30, por trupi i pajetë u gjet në banesë më datë 31. Autori i tragjedisë është emër i njohur për policinë dhe person problematik.