Deputeti i Parlamentit Evropian, Angel Chavdarov Dzhambazki ka paralajmëruar Serbinë se do të digjet nëse luan me zjarrin.
Përmes një postimi në Twitter, deputeti shkruan: “Serbia po luan me zjarrin. Nëse Vuçiç nuk kontrollohet, ata do të digjen. Ne qëndrojmë me Kosovën.”
#Serbia🇷🇸 is playing with fire. If Vucic does not get a grip they will get burned.
We stand with #Kosovo🇽🇰! pic.twitter.com/Iy9JJTOxC5— Джамбазки (@djambazki) August 1, 2022
Reagimi i tij vjen 1 ditë pas tensioneve në veri të Kosovës, të shkaktuara nga marrëveshja për reciprocitetin e targave.
Çfarë ndodhi në veri
Qeveria e Kosovës e ka shtyrë për një muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit, kjo pasi serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikë-kalimet kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak. Shtyrja për implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë erdhi nga kërkesa e SHBA-së. Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona të 31 korrikut, me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe dy zv.kryeministrat, Bislimi dhe Gërvalla.
Policia konfirmoi se në veri pati të shtëna me armë zjarri dhe disa qytetarë u keqtrajtuan në kufi. Në disa vende policia tha se është shtënë edhe ndaj njësiteve policore, por që nuk ka asnjë të lënduar.
Në këtë situatë, dy pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje u bllokuan. Prandaj Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i udhëzoi bashkatdhetarët që t’i përdorin pikë-kalimet e tjera kufitare për të hyrë në Kosovë.