Luiza Gega, kampionia më e re e Europës në atletikë në garën 3000 m me pengesa, ka mbërritur sot në atdhe ku është pritur me një ceremoni në Rinas. Atletja kuqezi, u rikthye këtë të hënë në atdhe ku u prit në Rinas nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe nga presidenti i KOKSH, Fidel Ylli. Ajo u shpreh se ka sakrifikuar dhe jetuar larg familjes për të arritur deri këtu ku është sot, duke shtuar se nuk do të kishte zgjedhur asgjë tjetër përveç këtij sporti. Luiza Gega tha se arriti t’i tregonte Europës se mund t’ja dilte dhe se çdo kush që punon me mund dhe sakrficë mun të arrijë shkallët e suksesit.
‘Feleminderit për këtë pritje të ngrohtë. Ndoshta jam lodhur shumë për të qenë këtu ku jam sot. Zgjodha të përfaqësoj ngjyrat e flamurit tim, sa më denjësisht dhe jam shumë krenare. Më në fund i tregova edhe Europës që edhe në mund tja dalim. Nëse punon fort dhe nëse e do këtë vend mund t’ja dalësh. Gjërat kanë ndryshuar vitet e fundit për sportin. Më kanë dhënë një shtysë më të madhe për të gjithë mbështetjen. Kam bërë të gjitha këto që të vijë kjo medalje. Jam shumë e lumtur që ja dola. Dhe të rinjtë shqiptar mund t’ja dalin dhe kushdo që e do të këtë vend. Vetëm nuk do t’ja kisha dalë nëse nuk do të kisha edhe mbështetjen e trajnerit.’u shpreh Luiza Gega.
Ministrja e Sportit Evis Kushi, u shpreh se Luiza Gega eshte modeli që duhet të ndjekë çdo i ri sot.
‘Të jesh kampione e Europës nuk mjafton vetëm talenti, por duhet shumë punë dhe mund. Luiza me shumë sakrifica ja ka dalë. Prandaj sot jemi këtu, për modelin që ajo përfaqëson’- u shpreh ministrja e Sportit Evis Kushi.
Luiza Gega është kampionia e re e Europës në atletikë. Shqiptarja ka bërë një paraqitje brilante në finalen e 3000 metrave me pengesa, duke ndalur kohën në 9 minuta, 11 sekonda e 31 të qintat. Si rezultat i kësaj paraqitje Gega la pas gjermanen Meyer, e cila kishte edhe mbështetjen e publikut duke qenë se kampionati europian zhvillohet në Mynih. Një arritje e jashtëzakonshme e Gegës, e cila për më tepër vendosi edhe rekord europian të përmirësuar me pothuajse 6 sekonda. Në fund nuk kishin si të mungonin as lotët e kampiones!