Daria vdiq për rusët dhe për Rusinë. Kështu u shpreh ideologu ultra-nacionalist pro Kremlinit, Aleksandër Dugin në ceremoninë e zhvilluar në homazh të vajzës së tij, e vrarë në një sulm me bombë ditën e shtunë. Aleat i ngushtë i Putinit, i njohur si truri dhe arkitekti i luftës ruse në Ukrainë, tha se vetëm fitorja e Moskës do të justifikonte vdekjen e së bijës.
Ceremonia u mbajt në qendrën televizive Ostakino, ku analistja politike 29-vjeçare, ishte shfaqur së fundmi për të promovuar narrativën e Kremlinit, lidhur me luftën në Ukrainë.
FSB-ja ruse tha të hënën se atentati ishte kryer nga shërbimi sekret ukrainas, dhe ishte ekzekutuar nga një grua, e cila më vonë ishte arratisur në Estoni. Një video e publikuar nga shërbimet e inteligjencës, shfaq atë që sipas pretendimeve është agjentja speciale, e cila kishte hyrë në vend në mesin e korrikut bashkë me të bijën. Presidenti Vladimir Putin i bëri personalisht homazhe Duginës përmes një deklarate të publikuar nga Kremlinit, ku e quajti vrasjen e saj një krim mizor. Por Ukraina mohon kategorikisht përfshirjen në ngjarje dhe sugjeron se varja mund të jetë organizuar nga vetë rrethi i Putinit.
“FSB-ja e ka kryer vrasjen dhe tani po thotë se e kemi bërë ne. Nuk punojmë kështu. Burrat dhe gratë tanë kanë detyra më të rëndësishme”, tha Oleksii Danilov, Sekeretar i Përgjithshëm i Sigurisë Kombëtare.
Televizioni shtetëror rus po i kushton një vëmendje të madhe vrasjes së Darias, duke sugjeruar se Moska po përpiqet të arrijë diçka të caktuar. Mesazhi i fshehur i raportimeve të kontrolluara nga Kremlini është Ukraina, është një shtet terrorist, ndërsa terma si “monstruoz”dhe “cinik” po përdoren gjithë kohës. Pyetja më e rëndësishme është se si do ta shfrytëzojë Rusia vdekjen e Duginës? Në rrjetet sociale, njerëzit po flasin për mundësinë e një ashpërsimi të fushatës kundër zërave opozitarë në vend, ndërsa të tjerë mendojnë se ngjarja mund të çojë në intensifikim të sulmeve në Ukrainë.