“Ne nuk kemi humbur asgjë dhe nuk do të humbasim asgjë”, tha Vladimir Putin në një forum ekonomik në Vladivostok më 7 shtator.
Edhe ndërsa ai fliste, trupat e tij po tërhiqeshin. Më 6 shtator, Ukraina njoftoi një ofensivë të papritur në provincën verilindore të Kharkiv, duke shkaktuar trazira në ushtrinë e Putinit.
Të gjithë sytë ishin drejtuar nga një ofensivë e shumëpritur ukrainase në provincën jugore Kherson, e cila filloi më 29 gusht. Rusia kishte tërhequr disa nga forcat e saj në lindje për të përforcuar jugun. Më 6 shtator ushtria ukrainase përfitoi, duke nisur një ofensivë në lindje të qytetit Kharkiv, raporton abcnews.al.
Ukraina rrethoi me shpejtësi Balakliya dhe u raportua se kishte avancuar 20 km në Volokhiv Yar. Deri më 7 shtator, forcat ukrainase po përparonin drejt Shevchenkove, një distancë e ngjashme.
Përparimi i forcave ukrainase është një moment i rëndësishëm pas disa muajsh përparimesh të mëdha nga Rusia në rajonin lindor të Donbasit. Ushtria ruse tani po përballet me “kërcënime të shumëfishta deri në 500 km”, vuri në dukje inteligjenca britanike.
Është raportuar për luftime të ashpra jo vetëm në provincat Kherson dhe Kharkiv, por edhe në vetë Donbas, ku Rusia ka sulmuar drejt Bakhmutit, kryesisht pa sukses. Tani ajo përballet me trilemën nëse do të dërgojë rezerva të pakta në Kherson, Kharkiv apo Bakhmut, raporton abcnews.al.
Vendimi do të varet nga mënyra se si do të zhvillohen ofensivat ukrainase. Sulmet rreth Kharkiv duket se kanë mposhtur mbrojtësit rusë në disa vende. Ukraina tani mund të përbëjë një rrezik për Kupyansk, një pikë kyçe hekurudhore që furnizon forcat ruse në Izyum në jug. Artileria ukrainase është ndoshta brenda rrezes së qytetit.
Në Kherson, Ukraina duket se ka bërë përparime të vogla. Disa ekspertë thonë se ofensiva mund të ketë ngecur. Por ta gjykosh atë vetëm në aspektin territorial do të ishte një gabim. Strategjia e Ukrainës ndoshta nuk është të sulmojë qytetin, por të lodhë ushtarët rusë dhe t’i detyrojë ata të tërhiqen.
Kundërsulmet e Ukrainës po prishin qartë planet e Putinit.
Ai shpresonte të demonstronte rezultatet nga “operacioni i tij special ushtarak” deri në fund të verës dhe bëri plane për të aneksuar Kherson dhe provincat fqinje Zaporizhia këtë vjeshtë.
Sergei Kirienko, zëvendës shefi i shtabit të Putinit, u dërgua në Kherson për të bërë përgatitjet dhe Ria Novosti, agjencia shtetërore e lajmeve ruse, publikoi “referendumet” e ardhshme.
Këto spektakle të rreme duhej të përkonin me zgjedhjet lokale të Rusisë më 11 shtator.
Por më 5 shtator, një zyrtar i emëruar nga Rusia në Kherson tha se referendumi ishte shtyrë. Më 7 shtator, partia në pushtet e Rusisë, “Rusia e Bashkuar”, sugjeroi mbajtjen e referendumeve në territoret e pushtuara nga Rusia më 4 nëntor.
Putin nuk ka dhënë asnjë deklaratë për ofensivën dhe është ende i bindur se ai po fiton, thanë zyrtarët perëndimorë. Ai shpreson se liderët perëndimorë që po përballen me një krizë energjetike do të shtyjnë Volodymyr Zelenskyn, presidentin e Ukrainës, për të negociuar. Dhe ai po e kompenson dështimin në Ukrainë duke përhapur terror në vendin e tij, raporton abcnews.al.
Më 5 shtator, Ivan Safronov, një gazetar i respektuar ushtarak, i cili u arrestua në vitin 2020 dhe u akuzua për zbulimin e sekreteve shtetërore, u dënua me 22 vite burg.
Fakti që ai nuk kishte akses në informacione sekrete dhe përdorte vetëm burime të tjera nuk kishte asnjë ndryshim për gjykatën. Vëzhguesit thonë se ky rast është një hakmarrje nga ushtria ruse dhe shërbimet e sigurisë: në vitin 2019 Safronov shkroi për shitjen e fshehtë të avionëve luftarakë rusë Su-35 në Egjipt.
Ai refuzoi një ofertë për të ulur dënimin e tij në këmbim që të pranonte akuzat. Dënimi drakonian, sipas Kirill Rogov, një analist politik, ka për qëllim të shpërqendrojë popullin rus nga paaftësia e shërbimeve të sigurisë së Kremlinit, të cilët nuk arritën të fshehin planin e pushtimit për Ukrainën nga agjencitë e inteligjencës amerikane.
Dënimi i Safronov synon të pengojë të tjerët të flasin për dështimet ushtarake të Rusisë. Kommersant, një e përditshme ruse ku punonte Safronov, iu përgjigj në mënyrë sfiduese me një letër të botuar në faqen e parë: “Ti je një gazetar i vërtetë. Në raste dhe në rrethana të tjera, do të ishe liruar nga të gjitha akuzat”.
Në ditën kur Safronov u dënua, Kremlini pezulloi Novaya Gazeta, gazetën e pavarur më kritike ruse, redaktor i të cilës ishte Dmitry Muratov, dhe fitoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2021, ndërsa ishte sponsorizuar nga Mikhail Gorbachev, ish-udhëheqës sovjetik që vdiq më 30 gusht.
Kremlini i shkaktoi gjithashtu më shumë dhimbje Alexei Navalny, liderit të burgosur të opozitës, duke e vendosur atë për herë të tretë në muajin e kaluar, në një qeli pa ngrohje, në një nga kolonitë e tij më të ashpra.
“Unë e urrej këtë luftë dhe kolegët e mi dhe unë po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i dhënë fund”, tha Navalny më herët në një mesazh publik përmes avokatëve të tij. Ai është përkushtuar më të gjitha burimet e tij politike dhe mediatike për të protestuar kundër luftës.
Ai aktualisht po u bën thirrje qytetarëve që në zgjedhjet lokale të votojnë për cilindo kandidat që nuk e mbështet Putinin./ Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al