Ambasada Amerikane në Tiranë, i ka dhënë zë, deklaratës së fortë të bërë nga Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, i cili dënoi sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë. Ambasada e SHBA ka ripublikuar deklaratën e Price, i cili shprehet se SHBA do të vijojë bashkëpunimin me Shqipërinë për mbrojtjen nga sulmet kibernetike.
“Dënojmë me forcë sulmin kibernetik të 9 shtatorit kundër aleates sonë në NATO, Shqipërisë, i cili pason sulmin kibernetik të Iranit të 15 korrikut. Ne do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me Shqipërinë dhe aleatët e partnerët e tjerë, për të forcuar mbrojtjen kibernetike dhe për t’i bërë përgjegjës aktorët keqdashës.” – Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price
Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit kanë konfirmuar se sistemi TIMS në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” është rikthyer totalisht në funksion gjatë mëngjesit të sotëm, pas punës që kanë kryer ekspertët e IT-së, së bashku me aleatët.
Shqipëria njofton për një sulm tjetër kibernetik nga Irani. Kryeministri Edi Rama e bëri publik të shtunën, (10.08.2022) lajmin e një sulmi të ri nga Irani në një postim në twitter, duke theksuar se “një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë të punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet digjitale të Shqipërisë”, shkruan ai.