Në datën 20 shtator në orën 09:50 do të mbahet seanca për masën e sigurimit, për ish-efektin Jeton Lami, i cili shoqëronte Ervis Martinajn para se ai të zhdukej.
“Ju bëjmë me dije se në Gjykatën e Apelit Tiranë është regjistruar çështja penale (masa e sigurimit), me person nën hetim Jeton Lami. Çështja është planifikuar për tu gjykuar më datë 20.09.2022, ora 09:50.”
Jeton Lami u arrestua më 24 gusht 2022, pasi akuzohet se ka ndihmuar dhe transportuar të shumëkërkuarin e drejtësisë shqiptare, Ervin Martinajn.
Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar Martinajn.
Ervis Martinaj është një nga emrat më të lakuar të drejtësisë në Shqipëri. Prej disa javësh ai rezulton i zhdukur dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të tij. Ishin familjarët që denoncuan në polici zhdukjen të cilësuarit “mbret i lotove.
Hetimet nisën pas kallëzimit të Faik Martinaj, xhaxhait të 40-vjeçarit të shumëkërkuar, i cili denoncoi humbjen e kontakteve me nipin dhe ngriti dyshime se mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe për shkak të përplasjeve që ka me grupe kriminale që kanë interes ta eliminojnë.
Pas arrestimit te tij, prokurorët ranë në gjurmët e një vajze, e cila ndodhej në shoqërinë e të shumëkërkuarit ditë përpara se familjarët të trokisnin në dyert e Policisë dhe të kërkonin ndihmë.
Vajza është marrë në pyetje nga prokurorët dhe ka pranuar se kishte që nga muaji janar i këtij viti që shoqërohej me të shumëkërkuarin, me të cilin sikurse deklaron ishte njohur përmes rrjeteve sociale. “Herën e fundit që u takuam ishte mbrëmja e 5 gushtit. Një i njohur i tij na shoqëroi për në një hotel në Durrës. Qëndruam aty atë natë dhe të nesërmen na mori. Unë ika për në shtëpi. Dy ditët në vazhdim kam komunikuar me të, por më pas u shkëputën kontaktet”, shpjegon vajza.