Tre persona që janë pjesë e krimit të organizuar po hetohen nga autoritetet pasi dyshohet se kanë lidhje me sulmin e ndodhur te Top Channel ku mbeti i vrarë roja i sigurisë Pal Kola.
Këta tre persona, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë i ditur po mbahen prej disa kohësh nën survejimin e hetuesve.
Prokuroria nga ana tjetër i është drejtuar me një letërporosi autoriteteve të “Europol” në Francë për të ekzaminuar dy profilet gjenetike që janë gjendur në gëzhojat e sekuestruara në vendin e krimit. Përgjigjet e marra nga këto ekzaminime do të hedhin dritë mbi personat e përfshirë në ngjarje dhe arsyet e sulmit.
Rikujtojmë se sulmi i armatosur ndaj Top Channel ka ndodhur mesnatën e 27 marsit. Nga ky sulm mbeti i vrarë me një plumb rikoshet roja i sigurisë Pal Kola ndërsa në vendngjarje u gjetën 26 gëzhoja plumbash. Menjëherë pas sulmit të armatosur, autorët dogjën mjetin tip ‘Range Rover’ në Golem.