Dje, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur “non grata” një nga figurat më të larta politike në Shqipërinë e pas viteve ’90; Sali Berishën! Lideri historik i Partisë Demokratike ka mbajtur çdo post të rëndësishëm të Republikës së Shqipërisë, përveç atij të kryeparlamentarit. Por nuk është i vetmi që Amerika i ka vënë “vizën”. Deri më tani në të njëjtin “grup” me Berishën janë edhe personazhe të tjerë publikë, një ndër ta ish-kryeprokurori Adriatik Lalla.
Njeriu më i rëndësishëm në drejtësinë shqiptare përfundoi si i padëshiruar në Amerikë pasi akusohet se është i përfshirë në raste madhore korrupsioni. Për këto të fundit është në një proces gjyqësore edhe në Shqipëri. Departamenti i Shtetit i ndaloi në shkurt të 2018-ës hyrjen në SHBA, Llallës dhe familjes së tij. Njoftimin e bëri publik në atë kohë sekretari i shtetit Rex Tillerson, ku theksohej se ky vendim merrej për shkak të përfshirjes së z. Llalla në korrupsion ose shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut.
“Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht”, thuhet në deklaratën e DASH. Përveç Llallës, Sekretari Tillerson ndaloi edhe hyrjen në SHBA të familjes së Llallës. Më pas, më 15 mars të 2018-ës për të nisi hetimi për fshehje të pasurisë, shpërdorim të detyrës dhe pastrimit të parave.
Një tjetër personazhi që i është vënë “kryqi” nga Amerika është edhe ish-kryebashkiaku i qytetit të Durrësit, Vangjush Dako. Edhe ky i fundit me pretendimin se ka kryer korrupsion dhe ka shkelur të drejtat e njeriut, nuk mund të shkelë më në Amerikë. Në 30 korrik 2019, Departamenti i Shtetit njoftoi edhe ndalimin e hyrjes në SHBA për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dhe anëtarëve të familjes së tij.
“Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Ligji po ashtu i jep të drejtë Sekretarit të Shtetit që vendimin ta bëjë publik, ose t’ia bëjë atë privatisht zyrtarit në fjalë. Në bazë të njoftimit të sotëm, Vangjush Dako, bashkëshortja e tij Alba Dako, djali Xhulio Dako dhe vajza e tij Kejsi Dako nuk lejohen të hyjnë në Amerikë. Vendimi i sotëm, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit, është një sinjal i fortë se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin në vende të tjera të botës,”- thuhet në njoftimin e DASH.
I fundit personazh që është shpallur non grata, por më i sulmuari nga Amerika është deputeti (ende në detyrë) Tom Doshi. Kreu i Partisë SocialDemokrate, akuzohet jo vetëm për korrupsion por edhe për shkelje të të drejtave të njeriut në vend. Më 16 prill 2018, DASH njoftoi edhe ndalimin e hyrjes së familjes Doshi në Amerikë, por nuk u ndal aty.
“Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë,”– thuhej në njoftimin e atëherëshëm të DASH.
Sulmi i SHBA ndaj Doshit është intensifikuar gjatë këtij viti, ku vetë ambasadorja amerikane Yuri Kim publikisht ka kërkuar tërheqjen e tij nga politika dhe përballjen me drejtësinë. Vetëm pak ditë më parë, ajo u shpreh se SHBA kishte furnizuar Prokurorinë e Përgjithshme me informacione për Doshin, duke shtuar se priste që institucionet të bënin punën e tyre. Por kulmi i sulmeve dhe deklaratave kundër Doshit kapi “majën” gjatë fushatës elektorale, ku thuajse çdo ditë Kim e përmendte me emër deputetin, duke e konsideruar si shembullin që nuk duhej ndjekur nga politika.