Sipas një studimi nga OBSH dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës, në vitin 2016 u shënuan më shumë se 745,000 vdekje nga goditjet në zemër dhe goditja në tru, të cilat u shkaktuan nga mbingarkesa në punë.
Nëse punoni deri në 55 orë në javë, bëni kujdes sepse pasojat mund të jenë fatale. Një raport i ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës tregon se si kostoja e të punuarit me orë të zgjatura shkakton efekte negative.
Sipas raportit, i cili u përqendrua në të dhënat e vitit 2016, 398,000 njerëz vdiqën nga goditjet në tru dhe 347,000 nga sëmundje të zemrës si pasojë e punës 55 orë ose më shumë në javë. Studimi global është i pari që shqyrton përkeqësimin e shëndetit dhe jetës për shkak të orëve të gjata të punës.
Midis vitit 2000 dhe 2016, mbingarkesa në punë rriti rrezikun e sëmundjeve në zemër të një personi me 42% dhe rrezikun e goditjes në tru me 19%. Krahasuar me javën tipike 35 orë ose 40 orë, nëse një person punon 55 orë ose më shumë, studiuesit vlerësojnë se atyre u rritet me 17% rreziku i sëmundjeve të zemrës dhe rreziku i goditjes në tru me 35%. Vdekjet ishin më të theksuara te burrat, punonjësit e vjetër ose të moshës së mesme dhe njerëzit që jetonin në zonat e Paqësorit Perëndimor dhe Azisë Juglindore.
Studimi shton se puna me orë të gjata është në rritje në të gjithë botën. Aktualisht, 9% e së gjithë popullsisë punon të paktën 55 orë. Kompania Fast raportoi mbi të dhënat e një ankete të vitit 2021 mbi angazhimin e punonjësve, që tregoi se më shumë se gjysma e të anketuarve ishin të shqetësuar për t’u dukur sa më produktivë në sy të shefave të tyre dhe 44% e të anketuarve e kompensuan këtë gjë duke punuar me orë më të zgjatura. Siç tregon studimi i OBSH-së dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës, përveç simptomave të tjera të lidhura me lodhjen dhe stresin, të punosh shumë gjatë mund të shkurtojë gjithashtu jetëgjatësinë.
Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, në njoftimin për shtyp deklaroi se “Asnjë punë nuk vlen aq shumë saqë të shkaktojë goditje në tru apo në zemër. Qeveritë, punëdhënësit dhe punonjësit duhet të punojnë së bashku për të rënë dakord për të mbrojtur shëndetin e punonjësve.”