Greqia pritet t’i japë Shqipërisë 20 000 vaksina kundër koronavirusit. Në një komunikim për mediat, zëdhënësi i qeverisë greke Aristotelis Peloni tha se vendimi u mor pas konsultave me Komisionin Europian.
Krahas Shqipërisë, siç raporton “Kathimerini“, 20 000 vaksina të tjera do t’i jepen edhe Maqedonisë së Veriut sipas zyrtarit grek, i cili nuk specifikoi në fakt se çfarë prodhimi do të jenë ato.
Sakaq, Bullgaria do të dhurojë 150 mijë doza të vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 për 4 vende të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipëria.
Lajmin e ka bërë me dije, ministri i Shëndetësisë Stoycho Katsarov, i cili u shpreh se Bullgaria ka siguruar dozat e nevojshme për të vaksinuar popullsinë e vetë dhe se do të ndihmojë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën.
“Ne duam të mundësojmë 150 mijë doza vaksinash kundër COVID019 për Ballkanin Perëndimor. Nevojat tona janë të mbuluara, nuk ka asnjë rrezik që një qytetar bullgar të mbetet pa u vaksinuar”, u shpreh ministri i Shëndetësisë.