Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë ditës, ka pritur në takim, kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani.
Haziri dhe Sinani gjatë takimit, kanë biseduar për angazhimin e aktiviteteve të ndryshme, që kanë të bëjnë me qytetarët e Gjilanit dhe të Preshevës.
“Kënaqësi ta pres në takim kryetaren e Preshevës, miken time Ardita Sinani, ku kemi konfirmuar angazhimin maksimal për lehtësimin e të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me qytetarët e Gjilanit, Preshevës dhe Kosovës Lindore në përgjithësi, që banorët e këtyre dy anëve të cilët janë në lidhje familjare, të gjakut dhe miqësore, të kenë liri të qarkullimit dhe pa pengesa. Zhvillimi ekonomik lokal është fokus i përbashkët në mënyrë që ekonomia dhe agrobiznesi të shënojnë hapa pozitiv në këtë drejtim duke aplikuar me projekte të përbashkëta në fonde dhe grante ndërkombëtare” – ka shkruar pas takimit, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Haziri, tutje ka shtuar se: “Në kohën e zhvillimit të bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore duhet të jetë pjesë e tavolinës dhe në interes të qeverisë së Kosovës e të mandatuarit për negociata.”
Sipas Hazirit, parimi i reciprocitetit dhe parimi i të drejtës për vetëvendosje i qytetarëve të këtyre tri komunave nënkupton që t’u kthehet e drejta për të jetuar në Republikën amë, por ky është proces politik që është në rifillimet e tij, në këtë dekadë të re.
“Besimi im i madh është që njerëzit dhe besimi i tyre nuk mund të shkelet asnjëherë, i kalon përmasat e kërkesave të kohës dhe përmasat e ngushta të politikanëve, qofshin në Beograd apo në Prishtinë. Fudja, e drejta për të jetuar dinjitetshëm në shtëpinë e vet i takon secilit” – ka shkruar Haziri pas takimit me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani.