Kryeministri Edi Rama me anë të një konferencë për mediat pasi sot mblodhi qeverinë ka njoftuar se nesër do të publikojë planin e posaçëm për të përballuar krizën energjitike.
“Jemi mbledhur për të deklaruar emergjencën e energjisë elektrike. Është diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit energjisë në tregjet ndërkombëtare. Dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumente financiare apo të natyrës administrative. Sot me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë. Planin do ta bëjmë publik nesër. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me pikun e kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm dhe njëkohësht mendojnë se edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin para krizës. Ajo që na takon ne është që të mbrojmë konsumatorët tanë. Sigurisht me një rend prioritetesh, duke pasur parasysh ata që kanë më shumë nevojë, nga më të dobëtit tek më të fortët“, deklaroi Rama.