Situata në spitalin e Krujës vijon të jetë alarmante pasi mbi 320 qytetarë janë paraqitur me helmim nga uji. Mësohet se mbrëmjen e djeshme ka pasur të tjerë qytetarë që janë paraqitur në spital për shkak të helimimit nga uji, duke kërkuar nga mjekët ndihmë mjekësore.
Ditën e djeshme, u raportua në media dhe në Dosja.al se 170 qytetarë, burra, gra e fëmijë përfunduan në spital me shenja helmimi. Për dy ditë me radhë, qytetarët kanë pasur të njëjtat simptoma, si diarre, të vjella, dhimbje barku dhe temperaturë. Ata kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe më pas janë larguar për në banesat e tyre, por ende ka qytetarë që ndodhen ende në spital, pasi janë në një gjendje më të rënduar shëndetësore.
Drejtoresha e spitalit Yllka Shetaj, bëri të ditur se situata është në kontroll duke mos pasur raste të rënda.
“Kjo situatë vijon që nga e diela në mëngjes. Me shenja helmimi kanë ardhur rreth 300 qytetarë. Nuk ka patur raste të rënda që t’i dërgonim për mjekim të specializuar në Tiranë, kanë marrë të gjithë shërbimin këtu. Situata është nën kontroll”, thotë ajo.
Janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit të cilat janë dërguar për ekzaminim, por përgjigjia nuk ka dalë ende. Policia doli me një njoftim zyrtar për ngjarjen e rëndë ditën e djeshme por raportoi se bëhej fjalë vetëm për 35 të helmuar. Pritet që në orët në vijim të ketë informacione të reja për situatën e rëndë.
Një pacient i shtruar në spitalin e Krujës pasi ka patur shenja helmimi, ka treguar edhe foton e filtrit të ujit që ai ka vendosur në banesën tij, ku duket qartë ndotja e lartë. Filtri është bërë i zi, duke treguar cilësinë e dobët të ujit që i shkon në çezma banorëve të Krujës. Pacienti tregon se e njëjta situatë është përsëritur edhe para tre muajsh, ku ata kanë patur të njëjtat simptoma helmimi.
“Filtri i ujit në banesën time, unë e ndërroj një herë në muaj. Është shumë i ndotur. Po e le 3-4 muaj bëhet kështu. Kjo ka ndodhur edhe para tre muajsh, kemi patur kështu shqetësimesh”, thotë ai.