Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar për tekstin e librit të historisë që portretizonte fshatin me rezidencën luksoze në periferi të Tiranës, në pronësi të sipërmarrësit Samir Mane. Lidhur me tekstin që u bë viral në rrjet, Kushi u shpreh se ka nisur puna për analizën e të gjitha teksteve shkollore, për të konstatuar të gjitha parregullsitë.
“Nisur nga shqetësimet e ngritura së fundmi në lidhje me ndonjë pasaktësi apo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit në tekstet tona mësimore, zhvilluam në MAS një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesionale, të cilët u angazhuan që së bashku me stafet e specializuara të rishikojnë në detaje të gjitha tekstet në arsimin tonë parauniversitar. Para pak vitesh ne kemi realizuar një reformë të thellë, duke u dhënë mundësi nxënësve tanë që të mësojnë me tekste më cilësore, por puna do të vazhdojë pa u ndalur për të garantuar standarde të larta dhe cilësi në të gjitha aspektet e procesit mësimor,”-tha ajo.
Në librin e historisë së klasës së katërt, nxënësve ua përshkruanin fshatin duke u ilustruar një zonë “ekskluzive”, ku jo çdo kush ka “xhep” ta përballojë pasi një banesë varion nga qindra mijëra deri në milionë euro./ dosja.al