Ka nisur në Elbasan mbledhja e 7 e përbashkët mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Elbasan.
Mbledhja ka startuar pak minuta pas orës 10:00, pasi kryeministri Edi Rama priti homologun e Kosovës Albin Kurti me çadër jashtë godinës ku po mbahet mbledhja.
Të dy së bashku u afruan drejt tryezës së gjatë ku po mbahet mbledhja, e cila është një risi pas disa mbledhjeve të zhvilluara në tavolina të rrumbullakëta.
Kryeministri Edi Rama ka shoqëruar homologun e tij Albin Kurti, teksa më pas ka mbajtur edhe fjalën hapëse në tryezë.
“Do të kishim dashur t’ju prisnim me diell, por le të shpresojmë se ky shi është një ogur i mirë. Sot mblidhemi pas një viti sfidues për shkak të pandemisë, por edhe pasi kemi një numër të konsiderueshëm punësh të vëna në vijë” – tha Rama.
Ai renditi disa nga marrëveshjet mes dy vendeve.
“Krijojmë kushte shumë më të favorshme për të dyja anët e kufirit për aksesin në tregun e punës, dhe një tjetër hap për një treg të përbashkët, ku shqiptarët mund të studiojnë, punojnë dhe pastaj të dalin në pension pavarësisht vendit gjeografik ku është. Njohja e sigurimeve shoqërore jep një mesazh të plotë për lirinë e cdo shqiptari për të jetuar e punuar në të anët e kufirit. Të diplomuarit e universiteteve tona shumë shpejt do të kenë njohje automatike diplomash. Hiqet menjëherë një procedurë burokratike e mbuluar me shkresa”, tha Rama.