Seria e sanksioneve të SHBA-ve për 16 individë dhe entitete të lidhur me rrjetin ndërkombetar të krimit të organizuar në veri të Kosovës e gjen diplomacinë europiane në pozicionin e përgëzuesit dhe ndjekësit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo të aktorit parësor në nga vendet aspirante për anëtarësim në Bashkimit Europian, si Kosova.
Zëdhësi i shefit të diplomacisë europiane, Josep Borrel nuk ka evokuar asnjë inisiativë apo aksion specifik në Veri të Kosovës, por vetëm i është referuar gjuhës ” së ngurtë” lidhur me procesin e anëtarësimit në BE të vendeve të rajonit.
“Iniciativa e SHBA-ve është diçka që vetëm mund të përgëzohet, pasi çmontimi i rrjeteve kriminale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirësimin dhe forcimin e shtetit ligjor në rajon dhe rrjedhimisht në jetën e qytetarëve. Ne jemi të angazhuar me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor në kuadrin e procesit të anëtarësimit kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Peter Stano, zëdhënës i KE-së.
Ndërkohë, Bashkimi Europian bën tê qartë, se nuk adopton sanksione si SHBA-të. I pyetur nëse BE-ja do të ndjekë inisiativën e Shteteteve të Bashkuara të Amerikës për të imponuar sanksione në Ballkanin Perëndimor, zëdhënësi Stano shprehet, se Bashkimi Europian nuk ka të njëjtën politikë sanksionesh si ajo amerikane.
“Bashkimi Europian ka politikën e saj të sanksioneve në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian. Cdo diskutim dhe vendim për sanksione u takon shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Siç mund ta dini, që çdo çështje lidhur me sanksionet që diskutohet, shqyrtohet apo është në vijim, bëhet sipas rregullave të konfidencialitetit dhe nuk komentojmë për to publikisht“, tha ai.