Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin provokon sërish duke mohuar masakrën e Reçakut, të cilën e quan një gënjeshtër të madhe dhe fyerje për mbarë njerëzimin.
Gjatë një vizite në sheshin e xhirimeve të serialit “Dosja e Kosovës” që po zhvillohen në periferi të Nishit, Vulin deklaroi se Reçaku po ashtu është mundësia e Serbisë për të treguar se sa padrejtësisht është ndëshkuar për të tjerët.
ALEKSANDAR VULIN
MINISTER I BRENDSHEM, SERBI
“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar për t’i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtër e tmerrshme ishte. Detyra e këtij brezi është t’i tregojë gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrës dhe se gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”
Autorja e serialit Sladjana Zariq, është shprehur se do të trajtohet kronologjia e ngjarjeve nga data 15 deri më 19 janar të vitit 1999, duke shtuar se shumë njerëz do të jenë të interesuar të shohin se si një operacion i madh anti-terrorist u paraqit si një masakër ndaj civilëve.
Ndërkohë nuk ka vonuar reagimi i Brukselit zyrtar. Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet.
“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”.-ka deklaruar Stano.
Masakra e Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars të vitit1999.
Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999.
Këto komente ai i bëri pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Alleksandar Vullin e quajti “gënjeshtër të madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm” vrasjen e civilëve shqiptarë në Reçak.
“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Stano për Radion Evropa e Lirë.
Të premten, më 10 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Alleksandar Vullin, vizitoi ekipin e një projekti filmik që po punon në realizimin e një serie të dokumentareve, që sipas autorëve ka për qëllim të dokumentojë të vërtetën e kësaj ngjarjeje që mohohet nga zyrtarët në Serbi.
“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, citohet të ketë thënë Vulin gjatë vizitës.
Duke komentuar qëndrimin e zyrtarëve në Serbi, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se mohimi apo modifikimi i Masakrës së Reçakut ku u vranë 45 civilë shqiptarë, është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
“E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo nënvlerësuar atë që ndodhi në Reçak”, tha Stano.
Stano shtoi se BE-ja u bën thirrje autoriteteve në të gjithë rajonin që të punojnë për një vlerësim të sinqertë dhe të vërtetë të së kaluarës, pasi sipas tij, rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.
Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.
Krimet e kryera në këtë fshat i kishte dokumentuar kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker.
Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.
Vullin ka mohuar disa herë në të kaluarën Masakrën e Reçakut, duke e quajtur këtë masakër si një “krim të fabrikuar”.