Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndjesë lidhur me publikimin e databazës me pagat mujore të qytetarëve shqiptarë që punojnë në shtet apo në privat që ka shkaktuar një skandal me të dhënat personale.
“Do doja të flisja për një vendim të rëndësishëm për një nismë të re të qeverisë për të rritur në nivel tjetër ndërveprimin me qytetarët por sot duke pasur parasysh ngjarjen e daljes në kanalet e komunikimit whatsap të të dhënave mbi pagat e kam të qartë që nisma do të humbte në vëmendjen tuaj, ndërkohë me plot të drejtë opinioni do të dijë qëndrimin tim për këtë çështje.
Nesër do bëjmë komunikim për nismën ndërkohë që sot ju kemi ftuar për të folur për ngjarjen e qarkullimit në rrjete e whatsapit për të dhënat e pagave.
Dua tu kërkoj ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private, ndërkohë dua të nënvizoj se kjo është një ngjarje e cila meriton të hetohet imtësisht. Uroj shpresoj dhe i bëj thirrje organeve lizgjzbatuese prokurorisë ta kryejë këtë hetim me të gjithë kapacitetet.
Nga ana tjetër dua të ndaj me publikun se në këndvështrimin tim nuk është e vështire të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të mirë për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet, në një përpjekje që nuk është e para”, tha Rama.
Rama akuzon opozitën për skandalin e nxjerrjes së të dhënave të listave të pagave të shqiptarëve, që sipas tij kanë qëllim destabilizimin e vendit.
“Duke pasur parasysh deklaratat e bëra nga foltoret e Kuvendeve dhe anti-Kuvendeve mund të mos jetë e fundit, prandaj thirrja ime për prokurorinë është që të hetojë duke kërkuar që të përgjigjen jo vetëm të gjithë pa përjashtim, inspektorët e tatimeve që kanë akses në sistemin e pagave për arsye të punës, ata që aktualisht punojnë në këtë sistem apo të tjerë që mund të jenë larguar nga ky sistem në periudhën nga të dhënat e nxjerra dhe deri më sot, por edhe nga ata që nga foltoret e Kuvendeve dhe anti-kuvendeve paralajmërojnë zymtyra të tjera. Dua të sqaroj se këtu kemi të bëjmë me një ndërhyrje, që duhet hetuar deri në fund për prejardhjen e saj, por që nga analizat paraprake ngjan më tepër si ndërhyrje nga infiltruari i brendshëm dhe jo nga infiltrimi i jashtë në formën e një sulmi kibernetik, gjë që ndodh edhe kjo. Nuk jemi as të parët dhe as të fundit, nëse i referoheni vetëm periudhës së fundit kohore, 2019-20-21, ngjarje të tilla kanë ndodhur në shumë vende me kapacitete shumë të larta të mbrojtjes kibernatike, nga SHBA, Kanada dhe Britani e me radhë’ tha ai.