Agjencia e lajmeve Reuters ka zbuluar një tjetër lëvizje domethënëse të Rusisë, në mes të konfliktit të ndezur që ka ngjallur frikën e një lufte të mundshme ndaj Ukrainës.
Duke cituar “tre zyrtarë amerikanë”, Reuters raporton këtë të shtunë se Rusia dyshohet se ka zhvendosur “një bankë gjaku” dhe materiale të tjera mjekësore pranë Ukrainës.
Zyrtarët e cituar nga agjencia e lajmeve Reuters, argumentuan se ky ishte një nga “treguesit konkretë” nëse Moska ishte e gatshme të niste një luftë apo jo.
“Zbulimi i furnizimeve me depozita gjaku” nga zyrtarë të paidentifikuar amerikanë “plotëson pazëllin në mes të paralajmërimeve në rritje të SHBA-së se Rusia mund të përgatitet për një pushtim të ri të Ukrainës,” vë në dukje Reuters në shkrimin e publikuar më 29 janar.
Furnizimet me depozita gjaku kanë një jetëgjatësi të shkurtër, zakonisht rreth 14 ditë kur ruhen në frigorifer.
Dy nga zyrtarët e cituar në raport i thanë Reuters se furnizimet me gjak u dërguan “brenda javëve të fundit”, por nuk dhanë një afat kohor specifik.
Raporti erdhi në të njëjtën ditë kur zyrtari i lartë i Pentagonit, Gjenerali Mark Milley, paralajmëroi se ndikimi i një pushtimi të mundshëm nga Rusia do të ishte “i tmerrshëm” dhe do të çonte në viktima të shumta.