Kosova me mijëra jetë të humbura, e gjunjëzuar në ekonomi, në pritje të
Më 11 mars të vitit të kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin pandemi. Në Kosovë, rastet e para me COVID-19 u shfaqën më 13 mars, dy ditë pasi COVID u shpall pandemi dhe një muaj pasi kishin filluar testimet. Numri i rasteve pozitive në Kosovë aktualisht është rreth 80 mijë, ndërsa kanë humbur jetën mbi 1 mijë e 600 persona. Numri i vdekjeve dhe të infektuarve po rritet çdo ditë.
Nga Prishtina, Fatos Shala
Një analizë për ndikimin e pandemisë, e bërë publike këto ditë, ka treguar në detaje se si ekonomia e Kosovës është gjunjëzuar. Në të thuhet se brenda një viti pandemik, qytetarët e Kosovës janë ballafaquar me humbje pune e mbyllje të bizneseve. Vetëm në biznesin e gastronomisë, dëmet janë rreth 20 milionë euro.
Mbi 10 mijë biznese u mbyllën dhe rreth 50 mijë vende pune humbën, nga 13 marsi i vitit të kaluar kur në Kosovë u shfaq rasti i parë më COVID-19. Florian Aliu ka thënë se pandemia ka ndikuar që bizneset të përballen me vështirësi për mbulimin e pagave të punëtorëve.
“Mbi 150 mijë punëtorë hasin ende vështirësi në paga. Të hyrat e shtetit janë rritur me zbutjen e masave dhe ndihmën nga pakot ekonomike. Në janar të vitit 2020, janë 111 milionë euro të hyra në Doganë, kurse në janar të vitit 2021 kemi një rritje në 123 milionë euro të hyra. Kjo vjen si rezultat i hyrjes në treg të 200 milionë eurove nga Trusti, rritjes së konsumit dhe fuqizimit të konsumatorit”, ka thënë Aliu nga Instituti “Paragon”.
Vetëm në gastronomi, sipas Arian Vranicës nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, dëmet janë rreth 20 milionë euro, për shkak të masave shtrënguese.
“Dëmet nuk kanë qenë vetëm këto. Ne kemi pasur edhe një raport hulumtues, të cilin e kemi realizuar më 23 nëntor të vitit 2020 dhe këto të dhëna kanë qenë mjaft shqetësuese, ku kemi parë që 89% e bizneseve deri në tetor kanë punuar me humbje, vetëm 11% e tyre kanë qenë në gjendje rentabile”, ka theksuar Vranica.
Ai ka përmendur ndihmën prej 3 milionë eurosh që kishte ndarë Qeveria, për subvencionimin e sektorëve më të prekur për ndalimin e aktiviteteve, të cilat janë: gastronomia, sallat e dasmave, sallat e sportit, qendrat rehabilituese dhe të ngjashme.
Sipas tij, aty janë përfshirë kategori të ndryshme në një linjë të përbashkët, e që nuk mjaftojnë as për të paguar gjobat e shqiptuara gjatë pandemisë, e lëre më të paguhen shpenzimet operative me to. Vranica ka kritikuar edhe masën për pagat e punëtorëve që kanë humbur punën, pasi, sipas tij, janë rreth 40 mijë punëtorë e vetëm në gastronomi janë diku 11 mijë.
Për subvencionim të pagave për ta, Qeveria ka ndarë vetëm 10 milionë. “Kjo shumë mbulon vetëm 11 mijë punëtorë me nga 900 euro për 3 muaj dhe jo më shumë. 3 milionë edhe po të ishin vetëm për gastronominë, nuk do të mjaftonin”. Sipas drejtorit të institutit “Paragon”, Fisnik Dukolli, pandemia ka ndikuar edhe në cilësinë e arsimit dhe të gjithë zinxhirin ekonomik.
“Duke marrë parasysh se Kosova ka një treg të punës kryesisht në ofrimin e shërbimeve, sektorët më të rënduar rezultojnë të jenë gastronomia dhe ndërtimi, por impakt negativ kemi pasur shumë edhe në prodhimtari, transport, turizëm, agrobiznes dhe në tregun medial”, ka theksuar Dukolli.
Instituti u ka rekomanduar institucioneve shtetërore që të ndërtojnë një sistem të fortë shëndetësor, forcimin e skemës për mbrojtje sociale dhe ekonomike e rritje të sistemit të mbrojtjes së punëtorëve.
Mijëra jetë të humbura, qytetarët në pritje të vaksinës
Në Kosovë, rastet e para me COVID-19 u shfaqën më 13 mars, dy ditë pasi COVID u shpall pandemi dhe një muaj pasi kishin filluar testimet.
Aktualisht, numri i rasteve pozitive është rreth 80 mijë, ndërsa kanë humbur jetën mbi 1 mijë e 600 persona. Pavarësisht situatës, qytetarët e Kosovës ende nuk kanë marrë asnjë vaksinë. Kosova është ndër vendet që nuk ka marrë ende asnjë dozë të vaksinës anti-COVID.
Në një listë të publikuar, Kosova gjendet në mesin e vendeve europiane që nuk është furnizuar me vaksinë, duke ngelur prapa të paktën 48 shteteve të tjera në rajonin e Europës, të cilat tashmë kanë nisur vaksinimin.
Edhe pse nga Qeveria në detyrë është thënë në vazhdimësi se Kosova do të sigurojë vaksinat në shkurt të këtij viti, kjo gjë nuk ka ndodhur. Në deklarimin e fundit që ka bërë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se deri në fund të muajit, pritet të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe do të fillojë vaksinimi i qytetarëve.
“Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabël, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të fillojë vaksinimi i qytetarëve”, ka thënë Hoti.
Ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë pranoi se nuk ka marrëveshje me Pfizer, për të cilën deklaronte se e kishte. COVAX ka njoftuar se shpërndarja e vaksinave nëpërmjet këtij programi do të bëhet në intervalin kohor shkurt-maj. Vendet e tjera europiane që nuk kanë nisur vaksinimin janë: Armenia, Bosnjë – Hercegovina, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut dhe Vatikani.
Me ardhjen e vaksinave, Kosova, si shumë shtete, do të fillojë vaksinimin e qytetarëve. Të parët që do të vaksinohen do të jenë punonjësit e shëndetësisë, personat e moshuar mbi 80 vjeç, të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje kronike.
Kosova rrezikon rënie të ekonomisë 7.2%
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një deklarim publik, ka thënë se nëse vendi shkon në një mbyllje totale për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, ka kapacitete për ta mbështetur ekonominë. Por guvernatori Mehmeti ka thënë se vendi rrezikon të këtë rënie të ekonomisë -7.2%.
“Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, me qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë e kanë ndikuar aktivitetin ekonomik në Kosovë dhe si rezultat, kemi kufizime të veprimtarive ekonomike dhe për këtë arsye, kemi parashikimet tona si bankë qendrore e kemi potencuar disa herë që në vitin 2020, kemi një rënie ekonomike -7.2%.
Nëse veç ndodh që të kemi edhe mbyllje të mëtutjeshme, pikërisht edhe për këtë arsye, kanë qenë këto takime të mbajtura sot edhe me Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive me bankat komerciale fillimisht edhe më pastaj, edhe me shoqatat e bizneseve në rast se paraqitet nevoja për mbyllje të mëtutjeshme”.
Ai theksoi se BKQ, së bashku me përfaqësues të bizneseve, identifikuan me kohë nevojat sa u përket vështirësive që kanë pësuar nga pandemia bizneset. Sidoqoftë, sipas tij, vështirësitë nga pandemia ende vazhdojnë në ekonominë e Kosovës.
Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, është i pakënaqur në përgjithësi me shumën e ndarë për bizneset nga Plani për rimëkëmbje ekonomike. Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ai thotë se ishte paraparë që të ndahen më shumë se 200 milionë euro për sektorin privat që ka pësuar humbje nga pandemia.
“Është mirë që është ndarë një buxhet i veçantë për gastronominë. Por, megjithatë, duke pasur parasysh humbjet e mëdha që kanë pasur, sidomos bizneset që nuk kanë punuar fare, siç janë hotelet, sallat e dasmave, nuk e di sa do të jetë i mjaftueshëm”, thekson Rukiqi. Qeveria në detyrë e Kosovës, në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, më 15 janar ka ndarë për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë 3 milionë euro për të subvencionuar sektorin e gastronomisë.
Vlera e mjeteve, në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje, është 222 milionë euro. Ligji u miratua më 4 dhjetor 2020 në Kuvendin e Kosovës, por ekzekutimi i mjeteve ka qenë i pamundur deri në miratimin e buxhetit të Kosovës, i cili u votua më 29 dhjetor të vitit të kaluar. Buxheti i Kosovës për vitin 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove dhe gjatë viteve nuk ka pasur buxhet më të madh se ky, i cili është në këtë vit.