Sot mbahet seanca konstituive e legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Kosovës. Zgjedhjet për Kuvendin janë mbajtur më 14 shkurt, ndërsa certifikimi i tyre u bë më 13 mars. Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, pritet që për kryetar të kuvendit të nominojë Glauk Konjufcën.
Konstituimi i legjislaturës së tetë, ku pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, do të bëhet sot në orën 10:00.
Sipas njoftimit të administratës së Kuvendit, pikë e parë do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve.
Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.
Edhe pse janë premtuar veprime të shpejta në konstituimin e Kuvendit për t’i hapur rrugë votimit të kabinetit qeverisës, një gjë e tillë nuk është e sigurt. Kjo, për shkak të mosmarrëveshjeve mes komuniteteve joserbe, disa prej të cilave ende nuk janë përcaktuar nëse do të jenë pjesë e Qeverisë apo e opozitës.
Për pasojë, ato nuk kanë një marrëveshje për emrin që duhet ta propozojnë për nënkryetar të Kuvendit, i cili u takon në bazë të Kushtetutës.
Legjislatura nuk konsiderohet e konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetarët.
Ndërkaq, një proces votimi zhvillohet në pako për nënkryetarët e propozuar nga partitë e komunitetit shumicë, kurse votimi i dytë bëhet për dy nënkryetarët e tjerë – atë serb dhe nënkryetarin që propozohet nga komunitetet e tjera jo serbe.
E, votimi për kryetarin e Kuvendit bëhet veçmas.
E drejta e propozimit të kandidatit i takon partisë fituese dhe ai pritet të jetë Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.
Nuk dihet nëse edhe Qeveria do të votohet të hënën dhe se kush do ta ushtrojë detyrën e presidentit, pas zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri.
Mirëpo, zyrtari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Taulant Kryeziu ka konfirmuar se, pas konstituimit të Kuvendit, pritet të formohet edhe Qeveria Kurti 2.
“Sot do të votohet qeveria që e deshti dhe e votoi masivisht populli. Kryeministrit Kurti duhet t’i urojmë suksese në punën e vështirë që e pret dhe t’i japim përkrahjen maksimale dhe sugjerime konstruktive aty ku duhet. Unë besoj në integritetin dhe përkushtimin e tij për të ndryshuar jo vetëm qeverisjen por edhe vendin. Përuljen më të thellë për zgjedhësit që i bënë privilegjin e jashtëzakonshëm Albinit duke e ngjitur në karrigen e Kryeministrit me kaq shumë mbështetje por edhe me po aq shumë pritje karshi tij. Duhet nënvizuar fort se ndryshimi nuk do të vijë as brenda një nate, as brenda një viti, por puna e qeverisë e projektuar në programin tonë që kemi punuar me aq shumë pasion, do të kërkojë qe edhe ekipi qeveritar të jenë të përafërt në atë që përfaqëson Kurti”.
Por zyrtarë të Vetëvendosjes kanë lënë të kuptohet se kryeparlamentarja aktuale, Vjosa Osmani, do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e kreut të shtetit dhe se zgjedhja e Qeverisë do të bëhet para zgjedhjes së presidentit.
Konstituimi i kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para kuvendit për votim.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.