Kryeministri Edi Rama ka bërë një bilanc të investimeve të Kosovës në vendin tonë. Gjatë mbledhjes së dy qeverive, Rama u shpreh se në Shqipëri ka mbi 1000 biznese kosovare.
Sipas tij, investimet janë rritur nga 9 mln euro në vitin 2017, deri në 139 mln euro në vitin 2021.
“E dyta që dua të sjell në vëmendje është që sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruara mbi 1000 biznese nga Kosova. 1081 janë 100% janë pronësi të Kosovës. Investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017, 9 mln euro. Në vitin 2021, 139 mln euro. Është një shifër shumë domethënëse, e fundit që dua të sjell në vëmendje është fluksi i investimeve në vlerën më të lartë historike ka qenë 16 mln i 2018-ës. Ndërkohë që jemi në 41 mln në vitin 2021. Një indikator jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kemi mundësinë ta intensifikojmë dhe ta shtojmë volumin e investimeve reciprokisht. Dua t’i kujtoj ministrave të brendshëm që kemi një protokoll të nënshkruar në prill” – tha Rama.
Rama foli gjithashtu dhe për portin e Durrësit.
“Sot më vjen shumë mirë që kemi ardhur bashkë me përfaqësues të kompanisë prestigjoze për të prezantuar studimin e portit të Durrësit, i cili faktikisht shtrihet nga Durrësi në Prishtinë me portin pritës në Durrës, dhe në portin e thatë të Prishtinës. Çka përbën një projekt me rëndësi strategjike që ka brenda të integruar hekurudhën Durrës-Prishtinë. Besojmë që duke e shtyrë bashkarisht këtë projekt të madh të Portit të Thatë të Prishtinës dhe të Durrësit të integruar me hekurudhën, gjë për të cilën kemi filluar kontaktet me NATO-n, jemi në një situatë tjetër për 10-vjeçarin e ardhshëm” – tha Rama.