Ivana Trump dukej e lodhur dhe porositi një sasi të vogël ushqimi në restorantin e saj të preferuar në New York, vetëm disa orë përpara se të gjendje e vdekur në fund të shkallëve.
73-vjeçarja u gjet brenda shtëpisë së saj në Manhattan rreth orës 12:40 pasdite, pasi policia mori njoftim për një person që kishte pësuar arrest kardiak.
Ivana, ish-bashkëshortja e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe nëna e tre fëmijëve të tij, shkoi gjatë ditës së enjte e vetme në restorantin e saj të preferuar, që ndodhet vetëm pak metra larg apartamentit të saj në Upper East Side.
Biznesmenja dukej pak e lodhur, tha pronarja e restorantit për The Sun.
“Si gjithmonë ajo më pyeti se si isha. Shëndeti i saj dukej normal, ndoshta dukej pak e lodhur, por ishte në rregull,” tha Paola Alavian. “Ajo porositi një sasi të vogël ushqimi. Jam në shok tani. Nuk e kam idenë se çfarë ka ndodhur. Ishte person i shkëlqyer, vërtet i mirë.”
Ish-modelja çeke Ivana Trump ndërroi jetë të enjten. Ish-presidenti Donald Trump konfirmoi vdekjen e saj në një deklaratë të postuar në platformën e tij Truth Social, ku iu referua Ivanës si një grua “e mrekullueshme”.
“Jam shumë i pikëlluar të informoj se Ivana Trump ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj në Neë York City. Krenaria dhe gëzimi i saj ishin tre fëmijët e tanë, Donald Jr., Ivanka dhe Eric. Ajo ishte aq krenare për ta, ashtu siç ishim të gjithë ne krenarë për të. U prehsh në paqe Ivana”, shkroi Trump.
Ivana, e lindur në Çesllovakinë komuniste, punoi si modele në vitet 1970 përpara se të martohej me Trump në vitin 1977.
Gjatë martesës së tyre, ajo mbajti një pozicion të lartë në Trump Organization si zëvendëspresidente e dizajnit të brendshëm, CEO dhe presidente e kazinosë Trump’s Castle dhe menaxhere e Hotel Plaza.
Çifti punuan së bashku në disa projekte të mëdha, përfshirë Kullën Trump në Fifth Avenue në Manhattan, rinovimin e Hotelit Grand Hyatt në NYC dhe ndërtimin e kazinosë Trump Taj Mahal në Atlantic City.
Ivana dhe Trump mirëpritën së bashku tre fëmijë, djemtë Don Jr dhe Eric dhe vajzën Ivanka.
Martesa e tyre përfundoi në fillim të viteve 1990, kur lidhja e Donald Trump me Marla Maples u bë publike.
Ata finalizuan ndarjen e tyre në vitin 1992, me Ivanën që vendosi të mbajë mbiemrin e saj.
Ajo u martua edhe dy herë të tjera pas ndarjes nga Donald Trump: fillimisht me biznesmenin italian Riccardo Mazzucchelli në 1995, nga i cili u nda 2 vjet më vonë, dhe më pas u martua me Rossano Rubicondi në 2008.
Aktori dhe modeli italian ishte më shumë se 20 vite më i ri se Ivana.
Ata u martuan pas 6 vitesh lidhje në resortin Mar-A-Lago të Trump. Martesa zgjati më pak se një vit dhe Rubicondi vdiq papritur në nëntor të vitit të kaluar nga melanoma e lëkurës, një lloj kanceri i lëkurës.
Vdekja e Ivanës aktualisht nuk konsiderohet e dyshimtë dhe dyshohet se ndërroi jetë nga një atak kardiak.