Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio ka folur rreth zgjerimit të Bashkimit Europian dhe integrimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
Në një deklaratë për mediat, pas takimit ku priti homologun e tij rumun, Bogdan Aurescu, Di Maio u shpreh se është dakort për miratimin e kornizave negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ne jemi dakord për miratimin e kornizave negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur si edhe për ecjen përpara edhe të Serbisë dhe Malit të Zi. E gjitha kjo për të ruajtur besueshmërinë për një proces themelor për stabilitetin dhe zhvillimin e një rajoni shumë pranë nesh. Padyshim, nga të dy palët duhet të ketë vullnet për të çuar përpara objektivat e përcaktuar,”- tha Di Maio ndër të tjera.
Di Maio përsëriti edhe mbështetjen e Italisë për kërkesën e Rumanisë për t’u bashkuar me zonën Shengen, duke marrë parasysh që kërkesat teknike janë përmbushur prej disa kohësh.
“Unë përsërita mbështetjen e plotë të Italisë për kërkesën Rumune për t’u bashkuar me zonën Shengen, duke marrë parasysh që kërkesat teknike janë përmbushur për disa kohë,”– tha Ministri i Jashtëm Luigi Di Maio në konferencën për shtyp në fund të takimit me homologun rumun Bogdan Aurescu.