Mjeku Pëllumb Pipero, i ftuar në një lidhje live në emisionin “Breaking”, në Top News, ka folur rreth procesit të vaksinimit masiv në Shqipëri. I pyetur nëse do të ketë një plan rezervë dhe nëse do të ndalet vaksinimi në vendin tonë, Pipero shprehet se nuk ka asnjë arsye që kjo gjë të ndodh pasi vendi ynë ka arritur të sigurojë vaksina dhe të nënshkruajë kontrata me disa kompani prodhuese të vaksinave.
Pipero shprehet më tej se vaksinimi po ecën me ritme të shpejta dhe mendon se deri në fund të qershorit mund të arrihet imunizimi i tufës.
“Nuk shoh asnjë arsye të ndalohet procesi, janë lidhur disa kontrata me kompanitë prodhuese. Edhe nëse ndalim hapat ne nuk na lë bota, duhet doemos të nxitojmë në procesin e vaksinimit dhe nëse vazhdojmë me këto ritme do të thotë që objektivi për të pasur 500 mijë të vaksinuar deri në fund të majit do të tejkalohet. Besoj se duke shtuar ritmet e vaksinimit dhe fundi qershorit do arrijmë imunitetin e tufës. Do të kemi arritur imunizimin e 75% të shqiptarëve për të mundësuar një sezon turistik të qetë dhe një fund viti optimist”, thotë ai.
-Si e ka menaxhuar vaksinimin Shqipëria në krahasim me Rajonin ?
“Procesi i vaksinimit ka qenë me problematike në të gjithë vendet për shkak të panjohurive me vaksinën dhe efektin e saj, për shkak të aprovimit me emergjencë të vaksinave dhe mos njohjen e efekteve të tyre. Duhet të kemi në konsideratë mundësitë që janë për tu vaksinuar. Shqipëria është një histori pozitive, sepse kemi siguruar qoftë në doza të vogla vaksinash në janar dhe tashmë kemi disa kontrata të nënshkruara. Vaksinimi po ecën me ritme mjaft të shpejta, kemi mbi 300 mijë të vaksinuar. Ka vend për të qenë më mirë por besoj se jemi shumë mirë”, tha Pipero.
Nuk kanë munguar as skeptikët për bërjen e vaksinës antiCovid dhe për ta Dr. Pipero ka një mesazh, në të cilin shprehet se të gjitha vaksinat që janë në qarkullim janë 100 për qind efektive.
“Vaksinat që janë të regjistruara dhe të përdorura në vendin e origjinës, që kanë një eksperiencë në përdori në mijëra qytetarë në mbarë botën janë të mira. Edhe për mua të gjitha vaksinat janë të mira dhe vaksina më e mirë është ajo që i ofrohet më shpejt qytetarit, efekti apo qëllimi i një vaksine është të mundësojë jo vetëm mos infektimin por edhe nëse infektohesh të mos sëmuresh rëndë. Të gjitha vaksinat që janë në qarkullim e kanë 100% efektin, çdo person që vaksinohet qoftë me atë kineze, me Pfizer apo tjetër është 50% më shumë i mbrojtur ,50% më pak i riskuar. Vaksinat janë shumë të mira, të gjithë skeptikëve do ju thoja të mos i referohen google apo lajmeve, por mendimit të specialistë. Një vaksinë që hyn në një vend duke marr miratimin e komitetit të vaksinimit është një vaksinë shumë e mirë. Edhe procesi i vaksinimit është politizuar paksa, sugjeroj t’ja lemë në dorë specialistëve”, tha Pëllumb Pipero.