Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin sanksione ndaj zyrtarëve dhe subjekteve ruse.
Për shkak të ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane dhe një sulmi kibernetik ndaj institucioneve qeveritare dhe korporatave amerikane, rreth 30 njësi ekonomike ruse do të përballen me sanksione, raporton Reuters dhe Bloomberg, duke cituar burime të paidentifikuara.
Sanksionet shënjestrojnë gjithashtu dhjetëra individë, duke përfshirë zyrtarë të inteligjencës ruse.
Masa do të përfshijë edhe dëbimin e deri në 10 zyrtarëve dhe diplomatëve rusë.
Ka disa javë që administrata e presidentit, Joe Biden, ka dhënë sinjale se po përgatit një përgjigje ndaj shkeljes së sigurisë kibernetike.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe kompanitë e teknologjisë kanë thënë se sulmi kibernetik që u zbulua në dhjetor të vitit 2020, mund të ishte bërë nga ana e hakerëve rusë.
Moska e ka mohuar akuzën.
Nga sulmi kibernetik janë prekur të paktën nëntë agjenci qeveritare, përfshirë departamentin e Thesarit, atë të Drejtësisë dhe të Tregtisë si dhe 100 ndërmarrje private.
Sanksionet gjithashtu kanë për qëllim hakmarrjen për ndërhyrjen e pretenduar gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Një vlerësim i agjencive të inteligjencës amerikane tha se me shumë gjasë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe qeveria ruse autorizuan dhe drejtuan një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet amerikane më 2020.
Kremlini tha të enjten se do t’i përgjigjej çdo sanksioni të ri “të paligjshëm” të SHBA-së ndaj Rusisë. Kremlini ka mohuar pretendimet e SHBA-së se Rusia u përpoq të përzihej në zgjedhjet presidenciale të SHBA në vitin 2020 ose se ishte pas një shkelje të sigurisë kibernetike që prek softuerin e bërë nga SolarWinds Corp.
Shtetet e Bashkuara mund të vendosin sanksione ndaj Rusisë sa më shpejt për ndërhyrje të pretenduar në zgjedhjet e SH.B.A. dhe aktivitetin kibernetik me qëllim të keq, duke synuar disa individë dhe entitetet raportoi BBC. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska do të presë të shohë se çfarë ka ndodhur në frontin e sanksioneve përpara se të komentojë në detaje.
“Ne dënojmë çdo synim për të vendosur sanksione, i konsiderojmë ato të paligjshme dhe në çdo rast parimi i reciprocitetit vepron në këtë fushë. Rusia nuk dëshironte që marrëdhëniet me Uashingtonin të ishin një rast i një hapi përpara dhe dy hapa prapa”, -tha ai.