Presidenti serb Aleksander Vuçiç, ka komentuar fushatën elektorale si dhe zgjedhjet që do të mbahen në 25 prill në Shqipëri. Novosti shkruan se Vuçiç ka thënë se sipas sondazheve kundërshtarët politik janë vetëm 2% larg nga njëri-tjetri.
“Unë jam duke ndjekur nga afër hulumtimet e opinionit publik, dhe dallimi është rreth 2 përqind dhe unë nuk përcjell hulumtime pa lidhje jo serioze të hulumtimit publik po ato që janë shumë serioze. Dhe në fakt dallimi është nga 1 në 3 përqind”, tha Vuçiç.
I ftuar në emisionin “Fokus” në B92, Vuçiç e konsideroi Sali Berishën si liderin e vërtetë të PD-së dhe jo Lulzim Bashën, duke përswritur Kryeministrin Edi Rama, i cili gjithmonë thotë se Berisha është në Krye të PD-së. Vuçiç në fjalën e tij ka thënë se ai është krenar dhe do të jetë krenar që është pengesa për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm.
“Pas Lulzim Bashës qëndron Sali Berisha dhe ju e dini, e gjithë historia pas saj, nga veriu i Shqipërisë, me gjithë barrën e së kaluarës, por kjo është çështje e tyre. Dhe sigurisht që unë jam krenar që jam pengesa e tyre më e madhe sepse ata flasin hapur për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Dhe ata flasin hapur për këtë gjë dhe askush nuk reagon.Unë nuk mund të pajtohem me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh ai.
Presidenti serb në fjalën e tij gjithashtu ka thënë se kufijtë në rajon nuk janë të pandryshueshëm, por që ai pajtohet me kufijtë ekzistues, ku Kosova dhe Metohia janë pjesë e Serbisë.
“Për çfarë po flisni, për pandryshueshmërinë e kufijve? Dhe ju i ndryshuat kufijtë në vitin 2008. Atëherë kufijtë nuk janë të pandryshueshëm? Pajtohem me kufijtë ekzistues, me Kosovën dhe Metohinë, si pjesë e Serbisë,” tha Vuçiç.
Vuçiç gjithashtu ka folur për dialogun me Kosovën, ku ka thënë se ata janë të gatshëm për dialog, dhe jo si Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët nuk e duan dialogun.
“Tani do të përpiqesh të gjesh një kompromis? Ata nuk e duan kompromisin. Për ne, është çështje e një progresi të jashtëzakonshëm. Nuk na duhet kjo, por nuk do të lejojmë një masakër dhe dëbim të popullatës sonë. Ne kemi mbijetuar shumë. Kjo nuk do të ndodhë,” përfundoi ai.