Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç ka komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama lidhur me hartën e rë të Ballkanit që po qarkullon në media, e që mendohet se është projekt i Sllovenisë.
Në një intervistë të dhënë për “Aljazeera“, Daçiç është shprehur se nuk e ka të qartë se çfarë ka parë Rama nga homologu i tij slloven, Shqipërinë apo Serbinë e Madhe.
“Ne qëndrojmë për Marrëveshjen e Dejtonit, duke ruajtur integritetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, barazinë e tre popujve dhe dy entiteteve dhe ne jemi kundër krijimit të ‘Shqipërisë së Madhe’. Ne jemi gjithashtu për ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë, e cila nuk është ‘e thyer’ nga ndonjë akt ndërkombëtar. Kujtojmë që Kosova nuk është njohur as nga Kombet e Bashkuara dhe as nga BE,”-tha Daçiç në një intervistë me Al Jazeera.
Por për çfarë bëhet fjalë?
Dokumenti u publikua për herë të parë më 12 prill, ndërsa fillimisht u aludua se kishte “dalë” nga zyra e kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansa. Nga mediat u raportua se harta e ndryshuar e Ballkanit iu dërgua kreut të Këshillit Europian, Charles Michel. Por Jansa e mohoi, ndërsa eurodeputetja Tanja Fajon kërkoi kujdes me deklarata të tilla, duke ngitur shqetësimin për nisjen e një lufte mes vendeve.
Pak ditë më parë, në një intervistë televizive, Rama tha se hartën e ka parë edhe më parë pasi ia kishte treguar homologu slloven, Janez Jansa.