Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për ngjarjen e rëndë në Elbasan, ku mbeti i vrarë eksponenti i PS-së, Pjerin Xhuvani, si dhe u plagosën katër persona të tjerë mes tyre edhe një efektive e forcave “Shqiponja”.
Në një postim në Twitter, Rama thotë se dëshpërimi i humbësve nuk duhet t’i bëjë socialistët që të humbasin qetësinë dhe besimin se 25 prilli do të sjellë “ndëshkimin kuptimplotë të forcave që duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona!”
“Dëshpërimi i humbësve nuk duhet e nuk do të na bëjë të humbasim as qetësinë, as durimin, as besimin se 25 prilli do të sjellë bashkimin e shqiptarëve për ta ngjitur Shqipërinë në majën e merituar dhe ndëshkimin kuptimplotë të forcave që duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona!”, shkruan Rama.