Serbia dëshiron raporte partneriteti dhe miqësie me Bosnje dhe Hercegovinën dhe entitetin e republikës serbe, ka thënë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç gjatë një vizitë në Banja Llukë.
“As që më bie në mend të flasim për luftë dhe me ata që bëjnë thirrje të tilla”,- tha Vuçiç.
Sipas Express, këto deklarata ai i dha pasi komentoi deklaratat e disa politikanëve në Bosnje se nuk ekziston asnjë mundësi për një ndarje paqësore midis entiteteve të Bosnje dhe Hercegovinës, pas informacioneve se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, të ashtuquajturën “non-paper”, ku thuhet se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar.
Pas takimit me zyrtarë të entitetit serb të Bosnjës, Vuçiç tha se me “kujdes ka dëgjuar mendimet e tyre për situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë”.
“Për ne është e rëndësishme të ruhet paqja dhe stabiliteti dhe të zhvillojnë ekonominë”, tha ai.
Më pak se tre muaj para fillimit të presidencës gjashtëmujore sllovene të Bashkimit Evropian, në media u shfaqën pretendimet lidhur me propozimin e supozuar të Janshës për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon.
Sipas përmbajtjes së publikuar, bëhet fjalë për ricaktimin e kufirit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe parashikohet mundësia e shkëputjes së entitetit të Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnje e Hercegovinës, pra, Hercegovinës perëndimore me Kroacinë.