Presidenti i Republikës, Ilir Meta thekson se heqja e të drejtës së emigrantëve për të votuar në zgjedhjet e së dielës është antikushtetuese.
Heqja e të drejtës së emigrantëve për të votuar, është shkelje e të drejtave kushtetuese të shtetasve për të marrë pjesë në votime. Edi Rama e bën këtë për të parandaluar votën kundra që do marri nga emigracioni. Po, unë jam në fushatë për të mbrojtur votën e lirë. Çfarë punë më të rëndësishme ka Presidenti Republikës se të mbrojë votën e lirë. Zgjedhjet janë një moment bashkimi jo më kot dhe zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore i cakton Presidenti”, thekson Meta.
Sipas kreut të shtetit, policia është treguar e njëanshme në ngjarjet e ndodhura ditët e fundit, duke u bërë thirrje forcave të rendit që të zbatojnë detyrat ligjore. Ai shton se patronazhistët janë shantazhues e kohëve tona.
“Policia e Shtetit në ngjarjet e fundit të ndodhur në vend, nuk ka zbatuar ligjin. U bëj thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit të bëjnë detyrën dhe mos të bëhen palë me asnjë që shkel ligjin. Përdorja e të dhënave personale dhe marrja e tyre nga institucionet shtetërore nga ana e Partisë Socialiste, janë bërë për të shantazhuar qytetarët. Ekspozimi i këtyre të dhënave personale të qytetarëve është shkelje e ligjit dhe cenim i të drejtave dhe lirive të njeriut. Patronazhistët janë shantazhistët e kohëve tona ose fuksat e kohës së kaluar. Është një strukturë e fshehtë, e paligjshme, shantazhuese dhe intimiduese”, shtoi ai.