Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Fitore Pacolli dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj, ditën e sotme kanë pritur në zyrën e LVV-së, Ambasadorin e Turqisë, Çagri Sakar dhe sekretaren e dytë të ambasadës, Dilara Koseoglu.
Me anë të një postimi në Facebook, LVV-ja ka bërë të ditur se në takim Ambasadori e ka uruar Kurti për rezultatin e zgjedhjeve dhe ka theksuar se ai dhe Turqia janë të interesuar të thellojnë bashkëpunimin me qeverinë në ardhje.
Po ashtu, në lidhje me vendosjes e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Kurti ka thënë se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe mundësi e mirë për zhvillim. Ndërsa, në lidhje me vendin se ku do të hapet ambasada, Kurti ka thënë është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje.
“Sot, Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Fitore Pacolli dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj, në zyret e Lëvizjes priti Ambasadorin e Turqisë, z. Çağri Sakar, dhe sekretaren e dytë të ambasadës, znj. Dilara Köseoğlu.
Ambasadori uroi Kryetarin Kurti për rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se ai dhe Turqia janë të interesuar të thellojnë bashkëpunimin me qeverinë në ardhje. Kryetari Kurti e falendëroi Ambasadorin për vizitën, si dhe për letrën e urimit nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Kryeministri në ardhje, Kurti e informoi Ambasadorin për prioritetet e qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohemi në shtimin e marrëdhënieve tona bilaterale, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik.
Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje. Në fund, të dy u dakorduan që porsa të formohen institucionet e reja të legjislaturës së tetë do të vazhdojmë bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona mike,”-shkruhet në njoftim.