Nuk kanë të ndalur telashet për skuadrën katalanase të Barcelonës. Paraditen e së hënës ish-presidenti Hosep Maria Bartomeu është arrestuar në vazhdën e hetimeve të skandalit që tashmë njihet me emrin “Barça Gate”. Gjithçka u zbulua një vit më parë nga mediat spanjolle, që me fakte treguan, se në listëpagesat e klubit “blaugrana” ishte edhe një kompani e specializuar në rrjetet sociale.
Kjo paguhej nga klubi për të diskretituar në rrjet lojtarët e rëndësishëm të skuadrës, si Mesi, Ksavi apo Pike, që ishin kundër linjës së drejtuesve. Hetimet nisën menjëherë, ndërsa kur ka kaluar thuajse një vit, policia spanjolle zhvilloi mëngjesin e së hënës kontrolle në selinë e klubit të Barcelonës.
Më pas në pranga është vënë ish-presidenti Bartomeu. Hetimi është drejt fundit, pasi policia ka sekuestruar prova të rëndësishme dhe sipas mediave spanjolle pritet të ketë të tjera arrestime. Gjyqtarja hetuese Alejandra Gil, e ka zgjeruar fshehtësinë procedurale, në të gjitha dokumentet e klubit të Barcelonës.