“Vaksina është e sigurt dhe efikase. Jemi të gatshëm të ndihmojmë popullit maqedonas me të cilin ndajmë vlera të përbashkëta. Jemi të gatshëm që bashkëpunimin ta zgjerojmë edhe në sfera tjera”, ka deklaruar ambasadori i Rusisë në Shkup, Sergej Bazdnikin.
Në Maqedoninë e Veriut deri më tani kanë arritur vetëm rreth 8.000 doza vaksinash të kompanisë amerikan Pfizer.
Me to janë vaksinuar punonjësit e Klinikës Infektive në Shkup, dhe të qendrave infektive të qyteteve tjera, si dhe punonjësit e qendrave COVID-19.
Opozita ndërkohë ka kritikuar qeverinë për dështim në sigurimin e vaksinave dhe përballjen me pandeminë, që sipas VMRO-DPMNE-së, dëshmohet me numrin e lartë të vdekjeve dhe rritjen e rasteve me këtë virus.
“Kjo qeveri mburret me një kuti të vaksinave të ardhura tani nga Rusia në Maqedoni, derisa në të njëjtën kohë në rajon dhe në botë masivisht vazhdon vaksinimi i popullatës. Maqedonia është vendi i fundit në Ballkan, në Evropë dhe në botë kur bëhet fjalë për vaksinimin. Fatkeqësisht, Maqedonia është e para për sa i përket vdekshmërisë kur bëhet fjalë për të vdekurit nga pandemia e COVID-19”, ka deklaruar Vlladimir Gjorçev.
Megjithatë, Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë, që nuk ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit.
Lidhur me rritjen e numrit të rasteve me koronavirusin e ri, ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe, deklaroi se institucionet po e ndjekin me vëmendje situatën, por se për momentin nuk ka ndonjë plan për mbyllje apo masa shtrënguese, ndonëse nuk përjashtohen në rast të përkeqësimit të gjendjes.
“Për momentin nuk ka rrezik për ngarkimin e kapaciteteve spitalore, ka shtretër të lirë. Kemi pasur disa mbledhje me Komisionin për Sëmundje Infektive, po ndiqet situata. Analiza përfundon në fillim të javës së ardhshme. Për momentin nuk kemi parashikuar shtrëngim të masave, por kjo nuk përjashtohet nëse gjendja vazhdon të përkeqësohet”, ka theksuar Filipçe.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në klinikat e Qendrës Universitare në Shkup dhe spitalet e qyteteve tjera janë duke u trajtuar 825 persona ndërsa shtretër të lirë ka edhe për 300 persona.
Prej shpërthimit të pandemisë, me koronavirus në Maqedoninë e Veriut janë të diagnostikuar mbi 106.000 persona.
Prej tyre 3.185 e kanë humbur jetën, rreth 94.000 janë shëruar ndërsa aktive janë rreth 9.100 raste.