Fatos Tarifa
“Vala e tretë” e demokratizimit dhe Shqipëria
Në pranverën e vitit 1991, Samuel Huntington, në atë kohë profesor i shkencës politike dhe drejtor i Institutit për Studime Strategjike “John M. Olin” në Universitetin e Harvardit, botoi në revistën Journal of Democracy një artikull tepër aktual në atë kohë, titulluar “Vala e tretë e demokracisë” (Democracy’s Third Wave). Libri i tij Vala e tretë: Demokratizimi në fund të shekullit të njëzetë (The Third Wave: Democratization in the Late Twentieth Century) u botua disa muaj më vonë, po atë vit. Ai u bë menjëherë një tekst shumë i rëndësishëm mbi teorinë e tranzicionit demokratik thuajse në të gjithë universitet amerikanë dhe në Europë.
Viti 1991 ishte viti kur në Shqipëri u mbajtën të parat zgjedhje demokratike, me të cilat nisi procesi i gjatë, i vështirë dhe i dhimbshëm i tranzicionit në vendin tonë. Po atë vit, pas 52 vitesh ndërprerjeje të plotë, Shqipëria rivendosi marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara, si dhe me Mbretërinë e Bashkuar, pas 51 vitesh që mes këtyre dy shteteve nuk kishte ndodhur thuajse asnjë.
E përmenda Valën e tretë të Huntington-it jo thjesht si një episod rastësor, që lidhet me fazën e parë të një tranzicioni të vonuar nga një sistem politik autoritarist, në një sistem pak a shumë demokratik në Shqipëri. Në gjykimin tim, kjo vepër e Huntington-it është esenciale për të kuptuar shumë nga problemet me të cilat është ndeshur tranzicioni dhe progresi demokratik në Shqipëri në këta tridhjetë vitet e fundit, veçanërisht në lidhje me rolin që ka luajtur komuniteti ndërkombëtar—specifikisht Shtetet e Bashkuara—në këtë proces.
“Vala e tretë” e ekspansionit global të demokracisë—e cila nisi me tranzicionin demokratik në Portugali në vitin 1974 dhe përfshiu më shumë se 60 vende në Europë, në Amerikën Latine, në Azi dhe në Afrikë, nuk la pa përfshirë edhe vendet e Europës Qendrore e Lindore, që deri në atë kohë kishin qenë pjesë e Bllokut Sovjetik dhe, bashkë me to edhe Shqipërinë. Në atë proces ndryshimesh të thella trasformuese, Shtetet e Bashkuara kanë qenë një agjent shumë i rëndësishëm, duke vepruar me një racionalitet instrumental në çdo fushë të jetës ekonomike, politike e shoqërore të këtyre vendeve.
Huntington vuri në dukje se, në “valën e tretë”, administrata e Shteteve të Bashkuara përdori një sërë mjetesh dhe instumentesh—politikë, economikë dhe diplomatikë—për të promovuar demokratizimin, disa prej të cilëve u aplikuan edhe në Shqipëri. Midis tyre, nëse përdor saktësisht gjuhën e vetë Huntington-it, bënin pjesë, “deklaratat e presidentëve amerikanë, të sekretarëve të shtetit dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë në mbështetje të demokratizimit në përgjithësi dhe në vende të veçantë”, si dhe mbështetjen për demokracinë nga Agjencia Amerikane e Informacionit (U.S. Information Agency—USIA), Zëri i Amerikës (Voice of America), Radio Europa e Lirë (Radio Free Europe), Radio Liria (Radio Liberty), si dhe veprimet diplomatike, përfshirë promovimin e demokracisë nga një lloj i ri ambasadorësh amerikanë të njohur si “freedom-pusher”.
Tridhjetë vite pas botimit të Valës së tretë dhe fillimit të tranzicionit demokratik në Shqipëri është me interes t’i rikthehemi me një vështrim të ri, freskues këtij teksti të Huntington-it për të rivlerësuar rolin e Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të saj europianë në promovimin e ndryshimeve demokratike në Shqipëri, sidomos përmes përdorimit efektiv të instrumenteve të sipërpërmendur. Edhe pse në 340 faqet e librit të Huntington-it Shqipëria përmendet vetëm katër herë, ky do të ishte një ushtrim i mirë intelektual.
Në pjesën më të madhe të këtyre 30 viteve unë kam jetuar, studiuar dhe punuar jashtë vendit, kryesisht në Shtetet e Bashkuara; sidoqoftë, kujtimet dhe studimet e mia në fushën e teorisë mbi demokracinë dhe të tranzicionit demokratik, si dhe përvoja ime në Shqipëri, më shtyjnë me këtë rast që të ndaj me lexuesit disa vëzhgime personale e të rëndësishme.
Vizita e Sekretarit të Shtetit James Baker në Tiranë dhe mesazhi i tij
Lëvizja e parë—dhe më e rëndësishme—e Shteteve të Bashkuara për t’u afruar me Shqipërinë dhe për t’i dëshmuar popullit shqiptar gadishmërinë e Uashingtonit për të mbështetur ndryshimet demokratike në vendin tonë ishte vizita e Sekretarit të Shtetit në atë kohë, James A. Baker III, në Tiranë, më 22 qershor 1991.
Për atë vizitë dhe për rëndësinë e saj në ato ditë të para të zgjimit demokratik në Shqipëri është folur dhe shkruar shumë. Duke e pasqyruar atë ngjarje, The New York Times shkruante: “U duk sikur ajo vizitë u dha shqiptarëve provën e parë të vërtetë se mankthi i tyre kombëtar, më në fund, mbaroi”.
I mahnitur nga entuziazmi me të cilin u prit dhe u përshëndet nga shqiptarët, vetë James Baker, në kujtimet e tij botuar disa vite më vonë, ka shkruar: “Në pesëdhjetë vite të jetës sime në politikë kurrë nuk kisha parë diçka të tillë”. William Ryerson, i cili më vonë u bë ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara qysh nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, e ka krahasuar vizitën e Sekretarit Baker në Tiranë me vizitën e Presidentit J. F. Kennedy në Berlin në vitin 1963.
James Baker u përcolli shqiptarëve, qartë dhe me zë të lartë, këtë mesazh: “Në emër të Presidentit [George H. W.] Bush dhe të popullit amerikan, unë vij sot këtu për t’ju thënë: Liria funksionon. Më në fund ju jeni të lirë të mendoni siç dëshironi ju vetë. Më në fund ju jeni të lirë të thoni atë që mendoni. Më në fund ju jeni të lirë t’i zgjidhni vetë ata që doni t’ju drejtojnë”.
Një deklaratë e tillë ishte ekzaktësisht ajo çfarë Huntington e cilësonte si “mbështetje [amerikane] për demokratizim” në një vend të huaj. Përmes kryediplomatit të saj, Amerika kishte folur: “Mirësevini në shoqërinë e njerëzve të lirë kudo që jemi, të lirë siç Krijuesi ka dashur të jemi. Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”.
Me një forcë të tillë emocionale, ky mesazh shërbeu si një katalizator për ndryshime pozitive në politikën dhe në shoqërinë shqiptare, në një kohë kur një regjim autoritarist komunist–i sklerotizuar dhe në rënie e sipër–po u hapte rrugë formave të reja të politikës. Vetëm dhjetë ditë para se James Baker të vizitonte Tiranën, në 12 qershor 1991, qeveria socialiste ishte zëvendësuar nga një qeveri e përkohëshme, gjysma e anëtarëve të së cilës vinin nga partitë opozitare të sapoformuara dhe gjysma nga radhët e socialistëve. Ajo qeveri kujdestare u ngarkua që të drejtonte vendin deri në zgjedhjet ardhshme shumëpartiake, që do të mbaheshin në pranverën e një viti më vonë.
Mesazhi që Sekretari Baker u përcolli shqiptarëve zgjoi sentimente të forta proamerikane. Dhjetra e mijëra njerëzit që u mblodhën në Sheshin Skënderbeg e pritën atë duke brohoritur e thirrur “Poshtë Partia Komuniste. Shqipëria është e jona. Amerika është me ne”. Siç do u thoshte vetë Sekretari Baker gazetarëve të huaj gjatë kthimit në Uashington, “Ai shpërthim i sinqertë afeksioni dhe mbështetjeje [për Amerikën] shpjegohet me simbolin që Amerika përfaqëson për popuj si ky, që për një kohë shumë të gjatë nuk kanë pasur asgjë në çfarë të shpresonin”.
I njëjti mesazh u përsërit në fjalën që Sekretari i Shtetit James Baker mbajti në Parlamentin e Shqipërisë po atë ditë. Dhe mesazhi ishte sërish shumë i qartë: “Unë kam një mesazh shumë të thjeshtë për anëtarët e këtij parlamenti sot dhe për qytetarët e këtij vendi, që tani ndeshen me sfidën e vështirë të rindërtimit kombëtar. Në rrugën e lirisë, ne duhet të shkojmë gjithmonë përpara. Në këtë parlament, në këtë kryeqytet dhe kudo në këtë vend nuk mund të ketë këtej e tutje veçse ecje përpara drejt vendosjes së demokracisë së plotë, një ekonomie tregu dhe shtetit ligjor. Pas kaq shumë vitesh, Shqipëria nuk mund të vonohet dot më”.
Sekretari Baker vijoi më tej: “Dua të jem shumë i qartë edhe për diçka tjetër”, tha ai. “Ashtu siç nuk mund të ketë kthim prapa në rrugën drejt një Shqipërie të re, në këtë rrugë nuk ka vend për dhunë, nuk ka vend për intimidim, nuk ka vend për përdorimin e forcës. Parimet e Europës së re —Europës së cilës Shqipëria sapo ka nisur t’i ribashkohet me anëtarësimin e saj në CSCE [Conference on Security and Cooperation in Europe] — janë respekti për të drejtat njerëzore dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve. Unë flas në emër të të gjithë amerikanëve kur them, për çdo anëtar të këtij parlamenti dhe për çdo qytetar të Shqipërisë: Le t’i japim fund çdo frike në Shqipëri. Kjo është Shqipëria e re dhe ju jeni anëtarë të një Europe të re”.
Sekretari Baker e mbylli mesazhin e tij për ligjvenësit shqiptarë me këto fjalë: “Këtu, si dhe në Amerikë, demokracia nuk duhet të jetë vetëm një ideal — ajo duhet të jetë realitet. Në këtë përpjekje, për aq kohë sa ju u qëndroni besnikë këtyre parimeve, ne do të jemi me ju, ashtu siç ishim me ju në fillim të këtij shekulli, kur Presidenti Woodrow Wilson u bë kampion i çështjes suaj. Unë jam krenar që Presidenti im dhe vendi im janë me ju tani, në dekadën e fundit të shekullit të 20-të, në mbështetje të një Shqipërie të lirë e të pavarur. Sepse çdo pjesë e këtij kontinenti, ashtu si dhe çdo qytetar i këtij vendi, duhet të jetë pjesë e asaj që Presidenti Bush e quan ‘një Europë e tërë dhe e lirë’…ne shpresojmë që, nga sot e tutje, populli amerikan dhe populli shqiptar do të ndajnë mes tyre këto ideale: një qeveri e hapur, një media e hapur, një ekonomi e hapur, një shoqëri e hapur. Këto janë mburojat e lirisë. Dhe liria funksionon”.
William Ryerson, njeriu që u ngarkua me përgatitjen e asaj vizite, e përshkroi atë si një “katarsis”. Ajo që vizita e Sekretarit Baker në Tiranë sfidoi më së shumti në imagjinatën e shqiptarëve—dhe që pati ndikimin më të madh në ndërgjegjen e tyre—ishte besimi se “America is with us”! Këto fjalë kishin një ngarkesë të madhe emocionale, madje edhe për një njeri si James Baker, i njohur për ftohtësinë emocionale të tij, i cili, më vonë, duke iu referuar asaj vizite në Tiranë, do të shkruante: “Kurrë nuk jam ndier më i privilegjuar që kam përfaqësuar vendin tim”.
Ambasadorët amerikanë në Tiranë—misioni dhe roli i tyre
U ndala disi gjatë në vizitën e Sekretarit të Shtetit James Baker në Tiranë 30 vite më parë jo thjesht se ajo ishte e para vizitë e një zyrtari të lartë amerikan në Shqipëri, por kryesisht sepse ajo vizitë historike dhe mesazhet që përcolli shefi i diplomacisë amerikane në atë moment vendimtar kthese historike shënuan pikënisjen e atij procesi, që mund ta quajmë tranzicioni demokratik i Shqipërisë i monitoruar ndërkombëtarisht. Them “i monitoruar ndërkombëtarisht” pasi roli i komunitetit ndërkombëtar në këta 30 vite ka qenë shumë i rëndësishëm, në mos vendimtar, për demokratizimin e vendit tonë, një çështje, së cilës i kthehem shkurtimisht në poshtë.
Katër Sekretarë Shteti të tjerë të Shteteve të Bashkuara—demokratë dhe republikanë—e kanë vizituar Shqipërinë qysh nga ajo kohë: Madeleine Albright më 1999; Colin Powell më 2003; Hillary Clinton më 2012; dhe John Kerry më 2016. Çdonjëri prej tyre ka sjellë mesazhe në emër të Presidentit amerikan dhe të popullit amerikan—dhe mesazhi kryesor gjithnjë ka qenë ky: Populli dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara janë me ju, me qeverinë dhe me popullin e Shqipërisë në përpjekjet tuaja për të forcuar demokracinë, për të konsoliduar shtetin ligjor dhe për të ndërtuar një të ardhme të begatë.
Kur Sekretari Baker vizitoi Tiranën, në qershor 1991, në kryeqytetin shqiptar ndodheshin vetëm dy diplomatë amerikanë, asnjëri prej të cilëve nuk ishte (dhe as kishte qenë më parë) ambasador. Në dhjetor të atij viti, William Ryerson u emërua i pari ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri qysh nga largimi i envoy-t të fundit amerikan, Hugh Gladney Grant, në vitin 1939.
Si përfaqësuesi zyrtar më i lartë i shtetit më të fuqishëm në botë—dhe me autoritetin e jashtëzakonshëm që vjen bashkë me të—Ryerson u bë thuajse menjëherë “një ndër njerëzit më me influencë në Shqipëri” dhe, pa dyshim, në politikën shqiptare. Në atë kohë, shumë nga ne—përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve—nuk i kuptonim dhe nuk i pëlqenim shumë nga daljet publike dhe deklaratat e ambasadorit Ryerson. Shumë prej nesh mendonim se fjalët dhe qëndrimet e tij ishin thjesht mendime dhe qëndrime të atij vetë dhe nuk përfaqësonin domosdo pozitën e adinistratës amerikane. Por ishim gabim dhe Samuel Huntington na ndihmon të kuptojmë pse.
Duke filluar nga mesi i viteve 1980, me Presidentin Ronald Reagan, politika amerikane kishte hyrë në një fazë të re, kur qeveria e atij vendi po vepronte në mënyrë aktive për të promovuar ndryshime demokratike, si në diktaturat komuniste, ashtu dhe në ato jokomuniste. Ky angazhim amerikan gjeti shprehjen e vet simbolike me krijimin, në vitin 1983, të “National Endowment for Democracy”.
Presidenti Reagan, ashtu si dhe Presidenti Jimmy Carter para tij, ndoqi një qasje “moraliste” në promovimin e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë në botë, e cila mbeti e pandryshuar edhe gjatë administratës së Presidentit George H. W. Bush, edhe pse, me këtë të fundit, kjo politikë u bë dukshëm më pragmatike. Në prill të vitit 1990, Sekretari i Shtetit James Baker kishte deklaruar se: “Koha për t’i hequr qafe diktatorët e vjetër po kalon shpejt; ka ardhur koha që të krijojmë demokraci të reja. Kjo është arsyeja pse Presidenti Bush ka përcaktuar që misioni ynë i ri të jetë promovimi dhe konsolidimi i demokracisë”.
Kur Ryerson u ngarkua me misionin për të përfaqësuar qeverinë amerikane në Shqipëri, ethosi i Departamentit të Shtetit kishte ndryshuar në një mënyrë “revolucionare”, nëse huazoj gjuhën e Huntington-it, në një mënyrë të tillë që, “në vend që thjesht të mbanin marrëdhënie të mira” me qeverinë e atij vendi ku një ambasador amerikan ishte akredituar, tani kërkohej që “përgjegjësia e ambasadorit amerikan” në atë vend të ishte “promovimi i demokracisë”. Ryerson ishte tipi i një ambasadori “freedom-pusher” në Shqipëri, prototipë të të cilit kishin qenë më parë Frank Carlucci në Portugali në vitin 1975, Lawrence Pezzullo në Uruguaj dhe në Nikaragua, Mark Palmer në Hungari etj.
Ryerson nuk ka qenë i vetmi ambasador amerikan që ka luajtur një rol të rëndësishëm—dhe të drejtpërdrejtë—në politikën shqiptare. Pothuajse të gjithë ambasadorët që administrata amerikane ka dërguar në Tiranë kanë qenë të angazhuar “tërësisht” për promovimin e stabilitetit politik, për konsolidimin e shtetit ligjor dhe të demokracisë në vendin tonë. Duke i koordinuar përpjekjet e tyre me përfaqësuesit e Bashkimit European, ata të OSBE-së dhe me ambasadorë të vendeve kryesorë të BE-së, ambasadorët amerikanë kanë ndikuar—disa me më shumë sukses sesa të tjerët—për të krijuar një klimë bashkëpunimi mes partive opozitare dhe qeverisë. Herë-herë, ata kanë bërë ndërmjetësin mes forcave politike kundërshtare, herë të tjera u kanë bërë presion dhe “paralajmërime serioze” njërës apo tjetrës palë, ose të gjitha palëve njëherësh.
Ambasadorja Marisa Lino e bëri këtë në fund të viteve 1990; Joseph Limprecht dhe James Jeffrey—dy ambasadorët amerikanë me të cilët unë kam pasur nderin dhe privilegjin të bashkëpunoja në vitet 2001-2005, kur përfaqësova si ambasador vendin tim në Uashington—vepruan në të njëjtën mënyrë. Po kështu edhe ambasadorët John L. Withers II, Alexander Arvizu dhe Donald Lu, që erdhën në Tiranë pas tyre. Ambasadorja e sotme amerikane, Shkëlqesia e Saj, Yuri Kim, nuk është ndryshe, pasi politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë dhe ndaj çështjes së demokracisë nuk ka ndryshuar.
Natyrisht, ambasadorët amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri në këta tridhjetë vitet e fundit nuk kanë qenë të “prerë” të gjithë njëlloj, si me gërshërë. As ne, ambasadorët shqiptarë që kemi shërbyer në Uashington gjatë këtyre tridhjetë viteve nuk kemi qenë të gjithë njëlloj. Çdonjëri prej tyre—dhe çdonjëri prej nesh—ka pasur dhe ka jo vetëm një background të ndryshëm nga ai i ambasadorëve të tjerë, por edhe një temperament njerëzor individual, një përvojë jetësore e profesionale të veçantë, si dhe një qasje e një metodë të vetën në kryerjen e misionit diplomatik që u është ngarkuar të kryenin në Shqipëri (ambasadorët amerikanë) dhe në Shtetet e Bashkuara ambasadorët shqiptarë).
Ndër ambasadorët amerikanë që kanë shërbyer në Tiranë, ndonjë ka qenë më vizionar se sa të tjerët; dikush ka pasur një takt të veçantë në marrëdhënie me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare ose me ata të opozitës; dikush ka qenë më i drejtpërdrejtë në marrëdhënie me ta se sa ambasadorët e tjerë; dikush e ka bërë me më shumë pasion detyrën e ngarkuar dhe ka “rënë në dashuri” me Shqipërinë dhe popullin e saj (veçanërisht ambasadorët Joseph Limprecht dhe James Jeffrey); çdokush ka ardhur me një përvojë individuale të vetëm në shërbimin diplomatik të Shteteve të Bashkuara—por, të gjithë, pa përjashtim, kanë qenë misionarë të politikës amerikane, kanë përfaqësuar presidentin dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe kanë zbatuar rigorozisht politikën e vendit të tyre në marrëdhënie me vendin tonë.
Shpesh herë dëgjojmë kritika për “ndërhyrjen” amerikane, ose për ndërhyrjen e “ndërkombëtarëve” në punët e brendshme të vendit tonë. Edhe pse përvoja sugjeron se, në disa raste, kritika të tilla mund të justifikohen, unë besoj se kjo lloj “ndërhyrjeje” ka qenë e paevitueshme, ndonjëherë e domosdoshme—dhe thuajse gjithnjë e dobishme.
Demokracia shqiptare nuk funksionon siç duhet! Bateritë! Bateritë! Ku janë ato?
Dua të jem tërësisht i qartë në këtë çfarë thashë më sipër, prandaj gjej rast të përsëris këtu atë çfarë kam shkruar e botuar rreth 15 vite më parë në një revistë amerikane, që botohet në Uashington. Ajo që kam thënë është kjo: “Presidenti George W. Bush mund të ketë pasur të drejtë kur thoshte se demokracia është një dhuratë nga Zoti, por shqiptarët nuk e dinin se bateritë nuk përfshiheshin në të. Duke qenë të fundit në Europën Lindore që e hoqëm qafe zgjedhën e komunizmit, ne, përzemërsisht dhe me shumë entusiazëm, e pranuam atë. Ne thjesht japim e marrim për ta vënë në punë këtë ‘dhuratë’, por ende nuk kemi mësuar se si ta bëjmë këtë”.
Kushdo nga ne do të donte që, pas tri dekadash, politika në Shqipëri të ishte sot më pak konfliktuale dhe më shumë demokratike, e frymëzuar dhe e drejtuar jo nga mentalitete të ngushta ideologjike apo tribale, por nga qëllime racionalë dhe nga principe demokratikë modernë. Shqipëria mund të mos jetë i vetmi vend, në të cilin kriteri huntingtonian i testit të ndërrimit të pushteteve dy herë përmes zgjedhjeve (two turnover test) ka rezultuar i pasaktë—me fjalë të tjera, kur sistemi demokratik nuk është konsoliduar pas ndërrimit të pushtetit në dy zgjedhje të njëpasnjëshme. Edhe vende të tjerë kanë dështuar ta kalojnë këtë test. Sidoqoftë, Shqipëria është vendi ynë dhe unë, ashtu si të gjithë ne, dua që vendi ynë ta lerë pas periudhën e gjatë e të vështirë të tranzicionit, për t’u bërë një vend me demokraci të konsoliduar dhe një vend anëtar i familjes së Bashkimit Europian.
Unë kam bindjen se, nëse nuk do të kishin qenë inkurajimi i fortë dhe presioni i vazhdueshëm i Uashingtonit (përmes ambasadës amerikane në Tiranë), si dhe i institucioneve drejtuese të Bashkimit Europian, shumë nga reformat e ndërmarra dhe ndryshimet pozitive të realizuara gjatë këtyre tridhjetë viteve në Shqipëri do të kishin qenë thuajse të pamundura.
Mendoni vetëm reformën që po kryhet në drejtësi; kjo reformë do të kishte qenë e paimagjinueshme pa presionin dhe pa ndihmën e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara dhe të komunitetit ndërkombëtar. Mund të kishte ndodhur gjithashtu që, pa presionin, pa ndihmën dhe pa monitorimin e komunitetit ndërkombëtar, në vend që të bënim përpara, procesi i tranzicionit ta kishte çuar vendin tonë pas, ose, nëse përdor fjalët e Adam Przeworski-t, në vend që të shkonim në Perëndim, do të kishim përfunduar në Jug, duke përjetuar, ndoshta, ngjarje edhe më dramatike sesa ato të vitit 1997, kur Shqipëria njohu një kolaps politik, ekonomik e shoqëror thuajse total pas shembjes së skemave piramidale të tipit “Ponzi” dhe një përpjekjeje për grusht shteti më 1998.
Në përgjithësi, në gjykimin tim, mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe e Bashkimit European ka qenë—dhe mbetet—kritike për progresin ekonomik e politik të Shqipërisë, siç janë—duam ose nuk duam ne—edhe ambasadori amerikan dhe ambasadorët e fuqive kryesore të BE-së aktorë politikë të rëndësishëm në këtë proces. Edhe nëse ka njerëz që daljet publike dhe deklaratat e tyre i shohin si ndërhyrje në punët e brendshme të vendit tonë, ose si cënim të sovranitetit tonë kombëtar, për aq kohë sa klasa jonë politike do të jetë e paaftë që ta drejtojë vendin në atë rrugë që e dëshirojmë të gjithë ne, si qytetarë të tij, fuqitë e mëdha demokratike dhe ambasadorët e tyre në Tiranë do të mbeteten faktorë që i kontribuojnë konsolidimit të demokracisë në Shqipëri.