Australianët e kanë përcjellë me ironi një sugjerim nga komisioneri i policisë së Uellsit të Ri Jugor (NSW), sipas të cilit një aplikacion mund të përdoret për të regjistruar pëlqimin seksual.
Të enjten, Mick Fuller mbështeti idenë e një aplikacioni ku njerëzit mund të regjistronin dixhitalisht marrëveshjen e tyre të ndërsjellë për të bërë seks.
Ai tha se teknologjia mund të përdoret për të vendosur “pëlqimin pozitiv”.
Por shumë njerëz e kanë kritikuar propozimin si dritëshkurtër dhe potencialisht të hapur për abuzim. Gjithashtu janë ngritur shqetësime nëse mund të përdoret për mbikëqyrjen e shtetit.
Javët e fundit, australianët kanë ringjallur një diskutim kombëtar rreth sulmit seksual, abuzimit dhe ngacmimit të grave, dhe të hënën dhjetëra mijëra njerëz rreth vendit marshuan në rrugë.
Duke prezantuar idenë e aplikacionit të enjten, Policia e NSW tha se kishte për qëllim normalizimin e aktit të kërkimit të pëlqimit të qartë.
“Ju mund të keni një djalë ose një vëlla dhe mendoni se kjo është shumë sfiduese, por ky aplikacion … i mbron të gjithë“, tha komisioneri Mick Fuller për Nine Network.
Ai tha se nevoja për të provuar pëlqimin e qartë ishte një problem i vazhdueshëm në çështjet gjyqësore të sulmeve seksuale dhe se të dhënat e një aplikacioni mund të ndihmonin në arritjen e rezultateve më të mira ligjore për viktimat. Ai shtoi se ideja ishte ngritur pranë qeverisë së NSW.
Më pak se 10% e rreth 15,000 rasteve të sulmeve seksuale të raportuara në policinë e NSW vitin e kaluar rezultuan në akuza policore, tha ai.
“Duhet të jetë pëlqim pozitiv. Si ta bëjmë këtë në këtë kohë dhe epokë? Një opsion është me teknologjinë,” shkroi ai në mediat lokale.