Partia opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka arritur një dakordësi me kryeministrin Zoran Zaev.
Pas negociatave mbi Ligjin për Shtetësinë, opozita ka tërhequr amendamentet ndaj pakos së pestë ekonomike.
Koalicioni ASH-AAA do t’i tërheqë amendamentet për ligjet e pakos së pestë ekonomike sapo opozita maqedonase, VMRO DPMNE të tërheqë amendamentet nga Ligji për shtetësinë, gjë të cilën partia e Hristijan Mickoski e paralajmëroi pak më parë.
VMRO DPMNE po shqyrton nëse do të tërheqë amendamentet për Ligjin e Shtetësisë, i cili do ti zhbllokojë edhe ligjet nga pakoja e pestë e masave ekonomike.
Ligji për shtetësinë ka pasur ndryshime që nga miratimi i parë në vitin 1991, pas pavarësisë.
Partitë në vazhdimësi kanë shkëmbyer akuza, ndërsa ndryshimet e bëra janë kundërshtuar nga opozita maqedonase, me arsyetimin se përmes ndryshimeve tentohet të ndryshohet harta demografike e vendit.