Nga Fedor Krasheninnikov, Free Russia
Sulmi i vitit 2014 ndaj Ukrainës ishte një zgjim i vrazhdë për të gjithë, për vetë Ukrainën, për shoqërinë ruse dhe për Perëndimin. Putini arriti që ta shfrytëzojë elementin e befasisë dhe të arrijë fitoren në Krime. Në Donbas, gjërat nuk ishin dhe aq të lehta, pjesërisht sepse Ukraina kishte filluar të rezistonte dhe pati kohë për t’u organizuar dhe zmbrapsur sulmet e separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Në vitin 2021, peizazhi është kthyer përmbys. Sot, askush nuk e vë në dyshim nëse Putini është i aftë për sulme të tilla ushtarake. Ai është tashmë i njohur për një oportunizëm dinak, që është shndërruar në kartën e tij kryesore në lojërat gjeopolitike.
Sipas të gjitha llogarive, Putini është i bindur se Perëndimi do të dorëzohet i pari dhe do të bëjë lëshime, pa marrë parasysh se cilat do të jenë ato. Ky besim qëndron nën retorikën e tij gjithnjë e më agresive, dhe përqendrimin e dukshëm të trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës.
Ndërsa armiqësitë ushtarake mund të shpërthejnë në çdo moment, fillimi i një lufte nuk është në fakt synimi i vërtetë i Putinit.Tek e fundit,lufta është diçka e paparashikueshme. Aventura e Krimesë ishte një sukses për Putinin, pikërisht sepse ishte e shpejtë dhe pa gjakderdhje dhe fitimtarë.
Nëse lufta e tij e ardhshme është e gjatë në kohë dhe e përgjakshme, Putini do të përballet me probleme serioze me elektoratin e tij shpërthyes, por edhe me elitat e tij që nuk do t’ja falnin kurrë humbjen, dhe ndoshta do të shkonin edhe më tej, dhe do të përpiqeshin ta rrëzonin atë nga pushteti në formë ndëshkimi.
Ndaj, qëllimi i Putinit nuk është të fillojë një konflikt të ri. Përkundrazi, ai synon të arrijë synimet e tij duke i trembur elitat perëndimore me vetë perspektivën e luftës. S’ka dyshim se në një situatë të jashtëzakonshme, ai do të ishte i gatshëm të luftonte, por vetëm kundër Ukrainës, dhe vetëm me garancinë se Ukraina nuk do të merrte asnjë lloj ndihme domethënëse nga jashtë.
Putini mund të përballojë vetëm fitoren, dhe ai do t’i shmangej çdo armiqësie nëse dështimi është në fushën e mundësive. Atëherë, çfarë dëshiron Putini nga Ukraina? Le ta fillojmë me problemet më themelore.
Për shkak të një larmie rrethanash, Krimea, e aneksuar prej 7 vitesh nga Rusia, po vuan nga mungesa e ujit. Para pushtimit nga Rusia, Ukraina kontinentale e furnizonte gadishullin me ujë. Lëvizjet e fundit të Putinit në kufi, mund të synojnë që ta detyrojnë Ukrainën të rifillojë furnizimin më ujë të Krimesë.
Kjo çështje mund t’i“shitet” lehtësisht publikut perëndimor si një mision humanitar, pa e detyruar Putinin që të ri-negociojë ndonjë nga temat kryesore. Natyrisht, për audiencat ruse kjo do të paraqitej si një fitore e madhe e Putinit, dhe në një masë të madhe do të ishte zgjidhur çështja e ujit, ndërsa Ukraina do të kishte bërë lëshime, përfshirë njohjen indirekte të statusit të ri të Krimesë.
Por çështja e ujit është vetëm një pjesë e problemi më të madh. Putini nuk ka nevojë për Ukrainën, më shumë sesa të legalizojë aneksimin e Krimesë. Dhe këtë ai mund të arrijë përmes 2 rrugëve. Së pari, ai mund t’i bëjë presion Perëndimit që të nisë t’i sugjerojë Ukrainës se do të ishte mirë që kjo e fundit ta pranojë Krimenë si pjesë të Rusisë. Ose ai mund të përpiqet t’i bëjë direkt presion qeverisë ukrainase për të njohur sovranitetin rus mbi Krimenë, gjë që do t’i jepte menjëherë fund çdo diskutimi mbi sanksionet perëndimore.
Përkundër faktit se Rusia i ka kushtuar jo pak përpjekje formësimit të opinionit publik në vendet perëndimore, është Ukraina ajo që Kremlini e sheh si hallkën e dobët, dhe me të drejtë. Në gjendjen e saj aktuale, qeveria ukrainase nuk është e gatshme që ta njohë Krimenë si pjesë të Rusisë, dhe as të pranojë të jetë brenda sferës ruse të ndikimit.
Kjo do të thotë se Rusia do të duhet që ta rrëzojë qeverinë aktuale të Ukrainës, dhe më pas të negociojë me autoritetet e saj të reja për kushte më të favorshme. Në këtë kuptim, Kremlini mund ta shohë kërcënimin e luftës dhe operacionet ushtarake në veçanti, si një përpjekje pragmatike për ta zgjidhur këtë çështje.
Por përveç këtyre qëllimeve, pas përshkallëzimeve aktuale ekziston një qëllim tjetër shumë më i lig dhe më i gjerë. Putini dëshiron që Perëndimi dhe sidomos Shtetet e Bashkuara, ta njohin atë jo vetëm si një lojtar të barabartë në skenën botërore, por edhe si të lirë për të bërë gjithçka që i pëlqen si brenda Rusisë, ashtu edhe çdo vendi që ai e konsideron brenda sferës së tij të ndikimit.
Në botën e ëndrrave të Putinit, Perëndimi jo vetëm që nuk do t’i bënte më pyetje të pakëndshme në lidhje me shtypjet e tij mbi opozitën politike apo gjendjen e të drejtave të njeriut brenda Rusisë, por do t’u mbyllte gojën kritikëve të tij në të gjithë botën, në mënyrë që të mos provokonin tiranin e rrezikshëm në Kremlin, që në çdo moment është gati për luftë.
Ai e sheh qartazi Ukrainën dhe vendet e tjera në kufi me Rusinë, veçanërisht ato që dikur ishin republika të ish-Bashkimit Sovjetik, si vende që i përkasin zonës ruse të ndikimit, dhe ku asnjë ndryshim i qeverisë nuk duhet që të ndodhte pa miratimin e Kremlinit.
Kjo është arsyeja pse synimi i tij nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Për fatin e keq të Ukrainës, ajo është përdorur si një test i përshtatshëm për teknikat e presionit që Putini përdor ndaj Perëndimit, dhe për të kërcënuar elitat politike perëndimore me agresivitetin dhe gatishmërinë e tij për të shkelur mbi çdo normë të politikës së sotme ndërkombëtare.
Lënë mënjanë këto, nuk mund të harrojmë faktin se qëllimi kryesor i Putinit ka qenë gjithmonë mbajtja e pushtetit në Rusi. Jetët e njerëzve, e ardhmja e vendeve dhe kombeve të tëra, përfshirë edhe atë të vetë Rusisë, e shqetësojnë atë vetëm në kontekstin e arritjes së këtij synimi.
Ashtu siç aneksimi i Krimesë në vitin 2014, e ndihmoi Putinin të konsolidojë regjimin e tij brenda vendit, duke u bërë dukshëm më brutal, situata aktuale me Ukrainën ka të ngjarë të çojë në një rezultat të ngjashëm. Regjimi i Putinit në Rusi do të bëhet më i pamëshirshëm, duke ndëshkuar këdo që guxon ta kundërshtojë.
Për këtë arsye, ndërsa rriten tensionet përgjatë kufirit ukrainas, po shtohet edhe niveli i terrorit policor brenda Rusisë. Lideri i opozitës ruse Alexey Navalny po mbahet ilegalisht
në burg, duke iu nënshtruar të njëjtave torturave si gjithë kritikët e tjerë të regjimit. Propaganda e Kremlinit e portretizon si një agjent perëndimor cilindo që është i pakënaqur me regjimin e Putinit, ndërsa autoritetet kanë propozuar ndjekjen penale të tyre “nën ligjet e kohës së luftës”.
Aventurizmi i Putinit jashtë vendit, mund të çojë vërtet në një luftë në të ardhmen e afërt. Por edhe nëse e shmangim luftën këtë herë, elitat perëndimore duhet të kuptojnë se për sa kohë që Putini është udhëheqësi i Rusisë, tensionet globale do të vazhdojnë të rriten dhe çdo lëshim i bërë ndaj tij, do të interpretohet si një provë se ai ka zgjedhur strategjinë e duhur. /abcndws.al