Ditën e djeshme është publikuar një dokument ‘non-paper’ i shkruar nga Gjermania dhe Franca në lidhje me njohjen reciproke Kosovë-Serbi.
Dokumenti është publikuar nga media Koha Jonë thuhet se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të lehtësojë procesin që do të çojë tek nënshkrimi i marrëveshjes ligjërisht obliguese mes të dyja palëve, me qëllim të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura në mënyrë që të përparohet në rrugëtimin evropian dhe të krijohen mundësi të reja për përmirësimin e jetës së njerëzve.
Kosova nuk do të duhej të vendoste barriera tregtare ndaj Serbisë, ndërsa Serbia të respektonte status-quon lidhur me praninë ndërkombëtare të Kosovës. Të dyja palët do të duhet të respektojnë moratoriumin në skenën ndërkombëtare.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke përfaqësuar Beogradin, dhe kryeministri Albin Kurti, duke përfaqësuar Prishtinën, do të udhëheqin diskutimet për finalizimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes palëve. Procesi do të duhej të përmbyllej para fundit të shkurtit të vitit 2022”,- thuhet në këtë dokument.