Kthim i detyruar në punë për dokerët e Portit të Montrealit
Qeveria Trudeau miratoi një ligj të veçantë (C-29) që ndalon grevën e përgjithëshme me afat të pacaktuar të dokerëve të Portit të Montrealit. Prej dje ata kanë qenë të detyruar të rifillojnë aktivitetin e tyre, ndalimi i të cilit ka shkaktuar jo pak anomali. Ligji që parandalon paralizimin e portit mori miratimin mbretëror të Premten në mbrëmje, pas aprovimit në Senat dhe në Dhomën e Komunave. Sipas ligjit të veçantë, greva e përgjithëshme duhet të marrë fund dhe 1150 anëtarët e sindikatë së dokerëve urdhërohen të kthehen në punë. Në të kundërt, sindikata dhe punëdhënësi, Shoqata e Punëdhënësve Detarë (MEA), mund të gjobiten me 100,000 dollarë në ditë për shkelje.
Popullsia e Vankuverit pritet të rritet me rreth 1 milion banorë deri më 2050
Qysh nga fillimi i pandemisë COVID-19, ritmet e rritjes së popullsisë në metropolin e Pacifikut kanë qënë të ulëta, por sipas disa studiuesve, parashikohet që deri në vitin 2050, popullsia e Vankuverit mund të shtohet me rreth 1 milion banorë, me një mesatare vjetore rritjeje rreth 35,00 banorë. Drejtori rajonal i planifikimit, Sean Galloway, i ka pohuar Radio-Canada se këto parashikime janë realiste, mbi të gjitha për faktin se Vankuver ka qenë dhe mbetet atraktiv si një qytet që ofron standard shumë të lartë jetese. Sipas studimeve të kryera nga vetë autoritetet rajonale duke përdorur të dhëna nga regjistrimi i vitit 2016, 8% e popullsisë së Vankuverit metropolitan vjen nga një shtet tjetër, 3% nga diku tjetër në Kanada dhe 1% nga një rajon tjetër i Kolumbisë Britanike. Vankuveri mirëpriti 31,394 banorë të rinj në 2019-2020. Sigurisht imigracioni ka rënë me 50% në të gjithë vendin që nga fillimi i pandemisë dhe Vankuveri nuk ka bërë përjashtim, por parashikimet e rritjes bazohen edhe te vullneti i deklaruar i qeverisë federale për të rritur numrin e emigrantëve të pranuar gjatë tre viteve të ardhshme.
Parlamenti i Alberta pezullon punën për shkak të Covid-19
Parlamenti provincial i Alberta në Edmonton e ka pezulluar punën për një periudhë dy javore pas rritjes së madhe të rasteve me Covid-19. Ky vendim është justifikuar si një masë parandaluese edhe pse asnjë deputet apo punonjës administrate nuk është deklaruar pozitiv deri më sot. Këshilli i Ministrave do të vazhdojë të mblidhet virtualisht dhe komisionet parlamentare do të vazhdojnë gjithashtu punën e tyre në distance me shpresën për të rifilluar punën normalisht më 17 Maj. Vendimi i qeverisë së Jason Kenney është denoncuar me forcë nga kreu i opozitës, shefja e Neodemokratëve Rachel Notley, e cila e ka cilësuar Kenney si frikacak dhe të paaftë. Ndërkohë, me 2433 raste pozitive të regjistruara të shtunën, Alberta ka arritur shifrën më të lartë qysh nga deklarimi i pandemisë.
Jo vaksinë me detyrim për studentët e Universitetit të Saskatchewan
Universiteti i Saskatchewan shpreson që të gjithë ata që do kthehen në kampus këtë Vjeshtë të jenë të vaksinuar kundër COVID-19, por i ka deklaruar CBC që vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm. Ndërkohë, Shoqata e Profesorëve miratoi unanimisht një deklaratë këtë javë, duke bërë thirrje që studentët të detyrohen të vaksinohen. Sipas presidentes së shoqatës, Allison Muri, vaksinimi i detyruar do të ishte një mbrojtje shtesë kundër Coronavirusit. Profesorati duket veçanërisht i preokupuar nga rritja e numrit të varianteve. Deri më sot, asnjë universitet kanadez nuk e ka bërë të detyrueshëm vaksinimin.
Québec – Sindikatat refuzojnë ofertën e qeverisë
Pas rreth një viti e gjysëm negociata, drejtuesit e sindikatave kryesore të sektorit publik në Québec e kanë hedhur poshtë ofertën e qeverisë Legault për konventat kolektive, duke e cilësuar atë si “gjysmake” dhe si tentativë për t’u hedhur “hi syve” punonjësve të këtij sektori, kushtet e punës të të cilëve, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim janë vështirësuar së tepërmi prej fillimit të pandemisë. Mosmarrëveshjet vazhdojnë sidomos për pjesën e rritjes së pagave të punonjësve të shëndetësisë dhe atyre që shërbejnë në rajonet e largëta. Hapi tjetër i mundshëm i paralajmëruar nga drejtuesit sindikalë për ditët në vazhdim është greva e përgjithëshme.
Triumf i sportisteve kanadeze në Tokio
Kanadezet Meaghan Benfeito dhe Caeli McKay kanë konfirmuar praninë e tyre në Lojërat Olimpike të ardhshme. Ato fituan dje medaljen e artë në garën e hedhjes së sinkronizuar nga 10 metra në Kupën Botërore të sporteve të zhytjes që po zhvillohet në Tokio duke zënë vendin e parë me një rezultat kumulativ prej 305.94. Britaniket Eden Cheng dhe Louis Toulson u renditën menjëherë pas tyre, me 3.06 pikë më pak, ndërsa gjermanet Tina Punzel dhe Christina Wassen përfunduan garën të tretat. Dyshja kanadeze arriti të rikuperohet shkëlqyeshëm pas një raundi paraprak zhgënjyes ku ajo u rendit fillimisht në vendin e 6-të. Kësisoj, Kanadasë iu shtua një tjetër medalje pas medaljeve të argjendta dhe të bronzta të fituara dje. McKay, 21 vjeç dhe Benfeito, 32 vjeç, duhej patjetër të përfundonin në katër të parat e garës në mënyrë që të kualifikoheshin për Lojërat Olimpike, të cilat gjithashtu do të mbahen në Tokio në Korrik. Për Benfeito kjo do të jetë pjesëmarrja e katërt në Lojërat Olimpike. Në vitin 2016, në Rio, ajo fitoi dy medalje bronzi, solo dhe duet. Për McKay, e cila fitoi medaljen e artë në Lojërat Panamerikane në Lima më 2019, (së bashku me Benfeito) kjo do të jetë eksperienca e parë olimpike.