Kosova ka marrë 4 680 doza të vaksinës Pfizer?BioNTech ditën e sotme. Këto vaksina janë pjesa e parë e 95 000 dozave, të cilat Bashkimi Evropian i ka caktuar Kosovës. Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, shkruan se këto doza vaksinash do të shërbejnë për vaksinimin e stafit mjekësor, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit në Kosovë.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë:
Njoftim lidhur ma vaksinimin kundër COVID-19. Prishtinë, 4 maj 2021. Ministria e Shëndetësisë ka pranuar sot 4680 doza të vaksinës Pfizer/Biontech kundër COVID-19, pjesë e parë e 95 000 dozave të cilat Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën në kuadër të mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në vaksinimin kundër COVID-19.
Me rekomandim të Komitetit për vaksinim kundër COVID-19, këto doza të vaksinës Pfizer/Biontech do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit për arsye shëndetësore për çka duhet të kenë dëshmi. Vaksinimi do të rifillojë nesër, e mërkurë 5 maj 2021 me punëtorët shëndetësor nga e tërë Kosova, të cilët do të vaksinohen në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00.
Kosova është vendi i fundit në rajon që ka nisur vaksinimin anti-COVID, pasi në 30 mars morën kontigjentin e parë me 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca. Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.