Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka thënë se vetëm përmes dialogut dhe kompromisit mund të arrihet një zgjidhje e përhershme lidhur me Kosovën dhe pa këtë nuk ka stabilitet as investime.
Kryeministrja serbe, duke folur në Forumin Ekonomik Delphi në Athinë vuri në dukje se Marrëveshja e Prespës është një shembull për Serbinë dhe Kosovën.
Sipas Telegrafit, Brnabiç deklaroi se nuk e kupton se pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e konsideron dialogun me Serbinë prioritet kryesor për Kosovën.
“Beogradi është duke pritur për vazhdimin e dialogut, por ‘topi është në anën e Prishtinës’”, – tha Brnabiç, duke shpresuar se konfirmimi i datës së re të takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel do të mbërrijë së shpejti.
“Dialogu është shumë i vështirë, i cili ka nevojë për liderë të guximshëm, por është mënyra e vetme për të ecur përpara. Sa më shpejt të vazhdojmë dialogun, aq më mirë për të gjithë në rajon”, – tha Brnabiç.
“Unë e di që prosperiteti i vendit tim është i pamundur pa prosperitetin e të gjithë rajonit. Kjo është arsyeja pse për mua, si kryeministre e Serbisë, përparimi i të gjithëve në rajon është po aq i rëndësishëm sa edhe përparimi i vendit tim. Marrëveshja e Prespës është një shembull i mirë si shpresojmë ne të zgjidhen gjërat me Prishtinën”,- theksoi Brnabiç.